Pesë persona, përfshirë dy fëmijë, janë shpëtuar pas gati tre muajsh lundrimi në Oqeanin Paqësor në një varkë të vogël. Ata ishin pjesë e një grupi prej nëntë personash që u nisën në fund të korrikut për një udhëtim midis dy ishujve në Mikronezi, vetëm një orë larg me vela. Por ata u përfshinë nga një stuhi dhe u rrëmbyen mijëra kilometra larg shtëpisë. Katër nga pasagjerët nuk janë gjetur ende.
E gjitha filloi më 30 korrik, kur nëntë persona u nisën me anije nga Ishulli Murilo për në Ishullin Ruo, në Shtetet e Federuara të Mikronezisë. Ata udhëtuan me një varkë vetëm gjashtë metra të gjatë dhe duhej të arrinin në destinacionin e tyre për rreth një orë.
Megjithatë, gjatë udhëtimit, ata u përfshinë në një stuhi që i largoi nga itinerari i tyre i planifikuar. Kur nuk arritën të ktheheshin, u nis një kërkim masiv ku përfshihej Roja Bregdetare e SHBA-së, Marina dhe Forcat Ajrore.
Ekipet e shpëtimit kontrolluan një sipërfaqe prej afërsisht 85,700 kilometrash katrorë për dhjetë ditë, por nuk gjetën asnjë gjurmë të varkës së zhdukur. Kërkimi u ndërpre më 9 gusht.
Ata u gjetën pas gati tre muajsh.
Pothuajse tre muaj më vonë, më 1 nëntor, banorët e ishullit të largët Fanning, i cili i përket kombit të Paqësorit të Kiribati, vunë re një varkë në det.
Në bord kishte pesë të mbijetuar, tre burra dhe dy djem. Ata ishin rreth 5,400 kilometra nga vendi ku ishin nisur.
Të gjithë ishin rëndë të dehidratuar dhe të kequshqyer. Stafi mjekësor menjëherë u dha atyre lëngje intravenoze dhe shpejt ata filluan të tregonin shenja shërimi.
“Ata mund të buzëqeshin dhe të tregojnë se duan të hanë”, tha infermierja Paukin Tororo për ABC të Australisë.
Pastori i kishës lokale u kujdes për të mbijetuarit, i cili u siguroi atyre strehim dhe ndihmë.
Çfarë u ndodhi katër të tjerëve?
Nga nëntë personat që nisën udhëtimin, vetëm pesë janë gjetur. Fati i katër të tjerëve është ende i paqartë.
Roja Bregdetare e SHBA-së njoftoi se po mblidhte dhe verifikonte informacione rreth asaj që u ndodhi atyre.
“Është një lajm i pabesueshëm dhe i mrekullueshëm që këta pesë persona janë gjetur dhe po ndihmohen”, tha Roja Bregdetare për Associated Press, duke shprehur ngushëllime familjeve të atyre që nuk u kthyen.
Guvernatori i shtetit mikronezian Chuuk, Alexander Narruhn, komentoi gjithashtu mbi shpëtimin.
“Në anijen që u zhduk ishin nëntë persona. Falënderojmë Zotin për dashurinë dhe mëshirën e tij që pesë prej tyre u gjetën”, tha ai.
“Ne vazhdojmë të lutemi për katër shokët e tyre”, shtoi ai.
Të mbijetuarit nuk kanë folur publikisht për përvojat e tyre gjatë gati tre muajve në oqean të hapur. Ata kanë kërkuar që privatësia e tyre të respektohet.
Pas shpëtimit, autoritetet e Mikronezisë filluan bisedimet me Kiribati-n për të organizuar kthimin e tyre në shtëpi.

