Rreth 47 mijë gra dhe vajza në mbarë botën u vranë gjatë vitit 2025 nga partnerët ose anëtarët e familjes, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women.
Raporti i publikuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, tregon se nga gjithsej 78 mijë vrasje të grave të regjistruara gjatë vitit 2025, rreth 60 për qind janë kryer nga partnerët ose familjarët.
Kjo nënkupton se mesatarisht pesë gra dhe vajza vriten çdo orë, ose 129 në ditë.
Afrika kryeson me shkallën më të lartë të femicidit, e ndjekur nga Amerika, Oqeania, Azia dhe Evropa.
Përfaqësueset e OKB-së kanë paralajmëruar se femicidi shpesh është akti përfundimtar i një periudhe të gjatë dhune, kërcënimesh dhe abuzimi, të cilat në shumë raste mund të parandaloheshin.
Sipas raportit, pavarësisht rënies së përgjithshme të vrasjeve në botë, femicidi po zvogëlohet me ritëm shumë më të ngadaltë.
Në kuadër të fushatës 16 Ditët e Aktivizmit, OKB-ja u ka bërë thirrje qeverive dhe institucioneve që të forcojnë mekanizmat e mbrojtjes, të garantojnë drejtësi për viktimat dhe të ndëshkojnë autorët e dhunës.

