Thursday, November 26, 2026
HomeLajmeKosovëÇitaku: Mbrojtja e çlirimtarëve në Hagë, prioritet absolut i PDK-së

Çitaku: Mbrojtja e çlirimtarëve në Hagë, prioritet absolut i PDK-së

PDK-ja ka miratuar strategjinë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në apel, ndërsa ka pranuar edhe draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, bëri të ditur Vlora Çitaku.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se është miratuar strategjia për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e apelit në Hagë.

Në një konferencë për media, Çitaku tha se strategjia është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës.

“Tashmë kemi një dokument të përbashkët, mbi bazën e të cilit shteti i Kosovës do të organizojë angazhimin e tij në këtë proces”, deklaroi ajo.

Çitaku njoftoi gjithashtu se para dy ditësh ka pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, të hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë. Sipas saj, drafti u është prezantuar anëtarëve të grupit strategjik në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë.

Ajo tha se qëllimi i kësaj iniciative është garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor, respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe krijimi i mekanizmave të mbikëqyrjes institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.

“Në asnjë moment nuk kemi synuar t’i ikim drejtësisë apo ta pengojmë atë. Përkundrazi, kërkojmë që drejtësia të ushtrohet në përputhje me parimet mbi të cilat ajo vetë është ndërtuar”, tha Çitaku.

Ajo theksoi se për PDK-në mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë është prioritet absolut.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, mbrojtja e çlirimtarëve në Hagë është prioritet absolut. Me çdo çmim dhe me të gjitha mjetet juridike, politike, diplomatike e institucionale që i kemi në dispozicion”, u shpreh Çitaku.

Në adresimin e saj, Çitaku tha se PDK-ja do të vazhdojë të mbrojë trashëgiminë e saj, duke theksuar se kjo çështje mbetet angazhim i pakompromis i partisë.

Në vazhdim të konferencës për media, Çitaku e vlerësoi unitetin politik për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së si një qëndrim me peshë historike, duke theksuar se ai tejkalon interesat partiake.

“Përtej dallimeve tona politike, kemi arritur të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët për një çështje e cila i tejkalon interesat e secilës parti”, tha Çitaku.

Ajo bëri të ditur se para procedimit të iniciativës në Kuvend do të zhvillojë takime me drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, organizatat e shoqërisë civile, akademikë, ekspertë juridikë, diplomatë dhe zyrtarë të vendeve partnere perëndimore.

Sipas saj, synimi është që procesi të jetë gjithëpërfshirës, transparent dhe juridikisht i qëndrueshëm.

Çitaku gjithashtu e ka ftuar Bashkimin Evropian që konsultimet për këtë iniciativë të fillojnë sa më shpejt.

“Publikisht e ftoj Bashkimin Evropian që t’i fillojmë këto konsultime pa humbur asnjë ditë. Ne jemi gati qysh nga sot”, u shpreh ajo.

Ajo tha se PDK-ja është e gatshme të diskutojë me përfaqësuesit e BE-së për shqetësimet, dispozitat ligjore dhe rekomandimet juridike që lidhen me këtë proces.

“Drejtësia dhe integrimi evropian nuk janë objektiva që e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato duhet ta përforcojnë njëra-tjetrën”, deklaroi Çitaku.

Në fund, ajo tha se tashmë ekziston një strategji shtetërore, një iniciativë e re ligjore, unitet politik dhe institucional, si dhe gatishmëri e shprehur e BE-së për konsultime.

“Tani është koha që këtë unitet ta përkthejmë në vendime, në veprime dhe në rezultate konkrete. Çlirimtarët tanë meritojnë gjithë angazhimin e shtetit për lirinë e të cilit luftuan”, tha Çitaku.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram