Dan Carney, i cili hapi Pizza Hut-in e parë në Wichita me vëllain e tij Frank në vitin 1958 dhe e shndërroi një restorant të vogël në një nga zinxhirët më të njohur në botë, vdiq më 13 nëntor në shtëpinë e tij. Ai ishte 95 vjeç.
Sipas The New York Times, shkaku i vdekjes ishte sëmundja kronike obstruktive pulmonare, tha djali i tij Michael.
Vëllezërit Carney hynë në biznesin e picave rastësisht. Në vitin 1958, Dan ishte 26 vjeç dhe drejtonte dyqanin familjar Carney’s Food Market kur pronarja e një ndërtese të vogël me tulla aty pranë i ofroi të hapte një piceri. Ajo donte ta dëbonte qiramarrësin e mëparshëm, një lokal me hamburgerë dhe birra, kështu që i tregoi një artikull në The Saturday Evening Post rreth picave si një trend i ri.
“Ne nuk dinim asgjë”, kujtoi Carney në dokumentarin e vitit 2025, Slice of Life.
Me vëllanë e tij, Frankun, atëherë një student 19-vjeçar, ai mori hua 600 dollarë nga nëna e tij. Mjeshtri i tyre i parë i picave ishte John Bender, një veteran i Forcave Ajrore, i cili më parë kishte punuar në një piceri në Indiana. Ai zhvilloi recetën e parë të salcës dhe u bë partneri i tretë, dhe disa vite më vonë ua shiti pjesën e tij vëllezërve.
Restoranti i parë ishte rreth 46 metra katrorë. Gruaja e Danit, Beverly, qepi perdet dhe mbulesat e tavolinave, përbërësit vinin nga dyqani i familjes dhe soba u gjet e hedhur pas një restoranti italian. Ndërtesa tani është një muze në kampusin e Universitetit Shtetëror të Wichitës.
“Ajo shtëpi e vogël e jona ishte vërtet një kasolle. Nuk duhej shumë tru për ta quajtur Pizza Hut”, tha Carney për emrin.
Çatia e kuqe u bë një markë tregtare
Restoranti pati një sukses të menjëhershëm dhe brenda pak më shumë se një viti vëllezërit kishin hapur pesë restorante. Duke shitur franchisa, Pizza Hut u zgjerua në shtetet fqinje, pastaj në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe deri në Australi dhe Kinë. Deri në mesin e viteve 1960, ata kishin 145 restorante dhe deri në vitin 1971, Pizza Hut ishte bërë rrjeti më i madh i picerive në botë me rreth 1,000 lokacione.
Ndërsa Frank ishte fytyra e kompanisë, Dan merrej me logjistikën, kontratat dhe zgjerimin. Ishte ai që, në fillim të viteve 1960, punësoi arkitektin që projektoi ndërtesën dalluese me çatinë e saj të kuqe me dy nivele dhe dritaret trapezoidale, të cilat thuhet se janë frymëzuar nga forma e një fete pice.
Shitje te PepsiCo për 300 milionë dollarë
Vëllezërit ia shitën kompaninë PepsiCo në vitin 1977 për 300 milionë dollarë, me një vlerë prej rreth 1.7 miliardë dollarësh sot. Frank qëndroi me kompaninë deri në vitin 1980 dhe më vonë, për pakënaqësinë e madhe të Danit, u bë pronar i një franchise për rivalin Papa John’s dhe u shfaq në reklamat e tyre. Ai vdiq në vitin 2020.
Më vonë, Dani ishte pronar i françizave të Pizza Hut në Florida dhe Meksikë, dhe ishte gjithashtu në bordet e organizatave humanitare dhe mbështeti sipërmarrësit e rinj.
Ai la pas gruan e tij Gayla, djemtë Michael dhe Matthew, vajzat Karen, Tricia dhe Polly, 15 nipër e mbesa dhe 22 stërnipër e stërmbesa.
Pizza Hut ka pasur vështirësi në tërheqjen e klientëve vitet e fundit dhe në qershor një firmë private kapitali bleu restorante në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës, përveç atyre në Kinën kontinentale, të cilat u morën në pronësi nga një kompani tjetër.

