Anëtari i Kryesisë së Lidhja Demokratike e Kosovës, Visar Azemi, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me, siç e quajti ai, “hajninë përmes njehsorëve elektrikë” duke akuzuar institucionet për përpjekje për ta mbuluar skandalin.
Në një konferencë për media, Azemi deklaroi se Ministria e Industrisë, e Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë (MINT), përmes komunikatës së fundit, në thelb ka pranuar pretendimet e LDK-së se ka pasur manipulime me njehsorët elektrikë në dëm të qytetarëve.
Sipas tij, gjobitja e KEDS për përdorimin e njehsorëve me afat të skaduar është dëshmi e qartë se sistemi është keqpërdorur dhe se qytetarët janë dëmtuar financiarisht.
“MINT po tenton ta mbulojë këtë skandal përmes gjobave ndaj KEDS-it duke e mbushur buxhetin e Qeverisë, në vend që këto mjete t’u kthehen qytetarëve të dëmtuar”, tha Azemi.
Ai theksoi se gjobat janë të vonuara dhe të pamjaftueshme duke kërkuar që çdo qytetar i prekur të kompensohet “deri në centin e fundit”.
Ndër të tjera, LDK kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të sigurojnë ruajtjen e provave dhe të mos lejojnë asgjësimin e dëshmive që lidhen me këtë rast.
Azemi paralajmëroi se LDK do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje deri në fund duke kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe kthimin e çdo euroje që, sipas tij, u është marrë padrejtësisht qytetarëve. /Kosovatimes/

