Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur seancën me ngushëllime për rastin që ndodhi në Malishevë një ditë më parë ku kanë humbur jetën babai dhe dy fëmijët e tij.
“Shprehim ngushëllimet tona më të përzemërta dhe e ndajmë dhimbjen me familjen” tha drejtuesi seancës, nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola.
Ndërkohë me kërkesë të deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu deputetët kanë nderuar me një minutë heshtje në përvjetorin e vrasjes nga forcat serbe viktimat e Poklekut.
Në vijim të seancës, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka propozuar që dy pika t’i shtohen rendit të ditës, Projektligjin për Energjinë dhe projektligjin për Energjinë Elektrike, si pikë e gjashtë dhe e shtatë.
Ndërkohë, ajo propozoi që pika për propozimin e dy kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të vendoset si pikë e tetë.
Ferat Shala nga PDK kundërshtoi ndryshimin e rendit të ditës, duke thënë se këto dy projektligje po sillen në mënyrë të përshpejtuar. “Ne na sillet një paketë e ligjeve ku komplet baza juridike, ekonomike, organizative e sektorit centralizohet, jashtë çdo parimi etik në raport me kohën, tregun e punës, zhvillimet globale, por mbi të gjitha me interesin tonë nacional”, tha ai.
Edhe LDK nuk ka pranuar ndryshimin e rendit të ditës. “E kundërshtojmë absolutisht mënyrën e tillë të imponimit të ligjeve në seanca të rregullta, jashtë procedurave të rregullta. Prandaj ju lus ta përdorni autoritetin tuaj dhe të mos lejoni që në agjendë e në seancë të vijnë ligjet të pa trajtuara në mënyrë dhe me afate të rregullta”, tha Jehona Lushaku – Sadriu.
Besnik Tahiri i AAK-së tha se nuk do të votojnë shmangie përderisa nuk ka urgjencë të saktë. “Urgjenca që do të duhej të ishte sot është një politikë publike e institucioneve përkatëse e mbështetur nga Qeveria dhe e votuar nga Kuvendi, do të ishte lirimi i çmimit të energjisë elektrike”, tha ai.

