Thursday, October 29, 2026
HomepafilterSpanja shpall tri ditë zie pas aksidentit tragjik hekurudhor me 68 viktima

Spanja shpall tri ditë zie pas aksidentit tragjik hekurudhor me 68 viktima

Spanja po nis tri ditë zie kombëtare pasi të paktën 68 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan në një nga aksidentet më të rënda hekurudhore në historinë moderne të Evropës.

Ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës, nën ndriçimin e fuqishëm të reflektorëve, për të hapur vagonët e dëmtuar dhe për të kërkuar viktimat. Shumë nga personat që humbën jetën ende nuk janë identifikuar, raporton BBC.

Autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit, i cili ndodhi të mërkurën në mëngjes, kur një tren që udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes u përplas me një tren të ndalur në shina.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, tha se “e gjithë Spanja është në zi”, duke shtuar se jetët janë shkatërruar, familjet janë ndarë dhe dhimbja është e madhe.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Spanjës, qindra pjesëtarë të ekipeve të emergjencës janë angazhuar në vendin e aksidentit. Në operacionet e kërkim-shpëtimit po përdoren edhe dronë e helikopterë për gjetjen e viktimave dhe largimin e rrënojave.

Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, tha se treni i kompanisë private Iryo kishte 147 pasagjerë dhe ishte ndalur në shina për shkak të një defekti në sistemin kompjuterik.

Sipas tij, në raste të tilla, kontrolli merret nga një qendër 24-orëshe në Madrid, por ajo kishte marrë vendimin “të pashpjegueshëm” që trenat të vazhdonin lëvizjen pa kufizime të shpejtësisë.

Regjistrimet audio mes kontrollorëve të trafikut hekurudhor në Madrid dhe makinistëve duket se tregojnë se njërit prej trenave të shpejtësisë së lartë i ishte dhënë leja për të vazhduar lëvizjen, ndonëse një tren tjetër përpara tij kishte ndaluar.

Kompania Iryo deklaroi se treni i saj ishte goditur nga prapa nga një tren tjetër, që drejtohej nga kompania shtetërore hekurudhore Renfe dhe kishte 397 pasagjerë në bord. Si pasojë e fuqisë së përplasjes, disa vagona dolën nga shinat dhe ranë në një skarpatë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram