Policia e Kosovës, ka dhënë detaje lidhur me armatimin e gjetur në dy lokacione në Zubin Potok, duke bërë të ditur se armatimi është zbuluar nga bashkëpunimi me qytetarë.
Sipas njoftimit, rasti i parë është regjistruar më 18 prill 2026 në fshatin Paljevo, ku pas pranimit të informatave nga qytetarët, njësitë policore kanë kryer kontroll në një hambar. Aty janë gjetur një pushkë e tipit Zastava M59, një sasi fishekësh të kalibrave të ndryshëm si dhe një uniformë ushtarake me simbole të shtetit të Serbisë.
Në rastin e dytë, po ashtu në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, policia ka vepruar pas informacioneve të siguruara gjatë kontakteve me qytetarët. Gjatë kontrollit në një shtëpi të braktisur janë zbuluar dhe sekuestruar armë të ndryshme, përfshirë një zollë, trombllona, granata dore të tipit M75, dy armë automatike AK-47, karikatorë dhe municion i konsiderueshëm, si dhe mjete të tjera si thika taktike.
Të gjitha veprimet policore janë kryer në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia ka konfirmuar se, lidhur me këto raste, deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

