“Kronologjia e Lirisë” është ekspozita që dokumenton krimet e luftës përmes fotografive të autorit, Ridvan Slivova. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e cila mori pjesë në hapen e kësaj ekspozite shprehu mirënjohje për Slivovën, si dhe për gazetaret e gazetarët që tha se kontribuuan në dokumentimin dhe shpalosjen e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.
“E kuptojmë se rrethanat në të cilat keni vepruar kanë qenë jashtëzakonisht të vështira dhe sfiduese. Shumë shpesh, në rrezik ka qenë edhe vetë jeta juaj. Prandaj, më lejoni t’ju falënderoj nga zemra për gjithçka që keni bërë dhe për faktin se nuk jeni ndalur asnjëherë në shpalosjen e këtyre krimeve”, tha ajo.
Haxhiu shtoi se sot Kosova ka edhe Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, një institucion i domosdoshëm për dokumentimin, verifikimin dhe ruajtjen e së vërtetës historike.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, në Kosovë, në kohë lufte, njëri mori armën për ta mbrojtur vendin, një tjetër mjekoi të plagosurit, e dikush mori aparatin për ta mbrojtur të vërtetën. “Pikërisht këtë keni bërë ju, z. Slivova, sikurse edhe shumë gazetarë të tjerë që janë sot këtu, por edhe ata që nuk janë më në mesin tonë”, vijoi ajo.
Haxhiu shtoi se autori i ekspozitës i përket atyre njerëzve që, në ditët më të rënda për Kosovën, e kuptuan se fotografia mund të bëhej dëshmi, kujtesë dhe zë i një populli që po përjetonte dhunë gjenocidale dhe spastrim etnik.
“Sot, fotografia është bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Me një telefon në dorë, secili mund të fiksojë një çast. Por në kohë lufte, fotografia merr një peshë tjetër. Ajo ruan dëshmi. Kur fjala ndalet nga frika, kur njerëzit dëbohen, kur shtëpitë digjen dhe kur krimi përpiqet të mos lërë gjurmë, aparati fotografik bëhet sy i historisë. Falë atij syri, sot kemi pamje që flasin për kohën tonë më të rëndë dhe për rrugën tonë më të vështirë”, tha Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së presidentes tha se “Kronologjia e Lirisë” sjell një pjesë të asaj periudhe që Kosova e ka jetuar me dhimbje të madhe, por edhe me qëndresë dhe shpresë.
Haxhiu shtoi se në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës dhe në 27- vjetorin e masakrës në Gollak, këto fotografi marrin peshë të veçantë, sepse, sipas saj, në to jeton kujtimi i viktimave dhe i të rënëve për liri, si dhe e vërteta e asaj që ndodhi.
Tha se pas përfundimit të ekspozitës, materialet do t’i dorëzohen Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, me ç’rast u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që posedojnë fotografi, dokumente, incizime apo çdo dëshmi tjetër nga koha e luftës, veçanërisht dëshmi për krimet e kryera në Kosovë, që t’i dorëzojnë ato në këtë Institut.

