Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar sot në familjen e Zejnepe Gashit në Sllovi të Lipjanit, për të nderuar, siç ka thënë, një histori të thellë dhimbjeje dhe qëndrese.
Ajo ka kujtuar se e ndjera Zejnepe Gashi gjatë luftës humbi bashkëshortin, dy djemtë dhe dy nipërit, ndërsa në pranverën e vitit 1999 në këtë fshat u vranë edhe dhjetëra civilë të pafajshëm.
Osmani ka theksuar se këto plagë nuk i përkasin vetëm një familjeje, por janë pjesë e kujtesës kolektive.
Sipas saj, muajin e kaluar, Zejnepe Gashi është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave (post mortem), për sakrificën dhe kontributin në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë masakrës së Sllovisë në vitin 1999.
Ajo ka shtuar se qëndrimi pranë familjes Gashi është bërë për të nderuar të kaluarën dhe për të forcuar përgjegjësinë për të ardhmen.
“Sakrifica e familjes Gashi mbetet amanet për një shtet ku jeta, dinjiteti dhe e drejta mbrohen gjithmonë”, ka deklaruar Osmani.
Mes tjerash ajo ka bërë thirrje për nderimin e të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë.

