Wednesday, April 22, 2026
HomeLajmeKosovëHajdari: Gjatë viteve 2024-2026 janë tërhequr mbi 153 njehsorë nga rrjeti

Hajdari: Gjatë viteve 2024-2026 janë tërhequr mbi 153 njehsorë nga rrjeti

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja Rozeta Hajdari tha se kërkesa e PDK-së për seancë të jashtëzakonshme ndërtohet mbi pretendimin se njehsorët nuk maten saktë, se faturimi është i manipuluar dhe se ekziston përfitimi i organizuar në dëm të qytetarëve, duke kërkuar përgjegjësi institucionale, megjithatë, sipas saj, çështja kërkon ndarje të qartë mes matjes, tarifimit dhe strukturës së tregut.

“Sistemi i energjisë në Kosovë funksionon mbi parimin e të hyrave të lejuara maksimale që do të thotë që operatorët nuk mund të gjerojnë të ardhura përtej kufijve të përcaktuar nga ZRRE-ja. Kjo strukturë e mbyllur rregullatore e kufizon fitimin dhe e lidhë atë drejtpërdrejt me kostot reale të sistemit, prandaj ideja e fitimit të pakufizuar përmes manipulimit të faturave bie ndesh me vetë strukturën ligjore të sektorit të energjisë”, tha Hajdari.

Ajo tha se MINTI përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës ka mandat të qartë për verifikimin e njehsorëve dhe ka mekanizma të rregullt kontrolli përmes verifikimeve periodike dhe të jashtëzakonshme.

“Fakti që mbi 153 mijë njehsorë janë tërhequr nga rrjeti gjatë viteve 2024 -2026, tregojnë një proces aktiv të mirëmbajtjes e jo një sistem të lënë jashtë kontrollit”, tha ajo.

Tutje, sipas deputetes së LVV-së është e rëndësishme që edhe këtë vit MINTI ka intensifikuar aktivitetet në terren përmes komisionit verifikues si përgjigje ndaj ankesave të pranuara.

“Gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmërisë së njehsorëve elektrik. Në bazë të këtyre gjetjeve inspektorati ka shqiptuar gjoba, në vlerë prej 1500 deri në 5 mijë euro për secilin  njehësor me afat të skaduar të vlefshmërisë, pra deri më tani rreth 30 mijë euro janë shqiptuar si gjobë ndaj KEDS”, tha ajo.

Prandaj, sipas saj, derisa nuk ka përfundim ligjor që të vërtetojë  ekzistencën e një manipulimi të organizuar, nxjerrja e konkluzioneve politike është e papërgjegjshme.

“Dukuria duhet të hetohet dhe këtë po e bëjnë të gjitha organet kompetente. Kërkesa e PDK-së tenton të reduktojë një sistem kompleks, në një narrativë të thjeshtë për manipulim të njehsorëve, ndërkohë kemi të bëjmë me një realitet shumë më të ndërlikuar”, tha Hajdari.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram