rkeologët kanë zbuluar një fragment papirusi me vargje nga “Iliada” e Homerit brenda barkut të një mumjeje të lashtë egjiptiane, në nekropolin e Oxyrhynchus.
Ky është një zbulim i rëndësishëm, i cili pritet të zgjerojë njohuritë e shkencëtarëve mbi praktikat e varrimit dhe jetën fetare të Egjiptit të lashtë , pasi është hera e parë që një tekst letrar grek është identifikuar i ngulitur në procesin e mumifikimit.
Gjatë gërmimeve të kryera midis nëntorit dhe dhjetorit 2025, nga Instituti për Studime të Lindjes së Afërt të Lashtë (IPOA) i Universitetit të Barcelonës, u zbulua një mumje – ndër të tjera – që ishte varrosur gjatë epokës romake, afërsisht 1,600 vjet më parë, në qytetin e lashtë të Oxyrhynchus (El Banassa e sotme).
Mumja përmbante një element të pazakontë: një papirus të vendosur në bark si pjesë e ritualit të balsamimit.
Në gërmimet e mëparshme arkeologjike, ekipi shkencor kishte gjetur papiruse të shkruara në greqisht në vende të ngjashme, por përmbajtja e tyre ishte kryesisht ritualistike. Deri më tani, një tekst letrar si “Iliada” nuk ishte gjetur kurrë në një kontekst të tillë.
Papirusi u analizua nga konservatorja Magdalena Munar, papirologia Lea Macia dhe Ignacio-Javier Antiego, profesor në Departamentin e Gjuhëve Klasike, Romance dhe Semitike dhe drejtor i projektit Oxyrhynchus. Profesori Antiego e identifikoi tekstin si një fragment nga Libri II i Iliadës, i njohur si Katalogu i Anijeve, i cili liston gjerësisht forcat greke para Trojës – një nga tekstet më emblematike në letërsinë perëndimore.

“Kjo nuk është hera e parë që kemi identifikuar papiruse greke, të mbështjella, të vulosura dhe të përfshira në procesin e mumifikimit, por deri më tani përmbajtja e tyre ka qenë kryesisht ceremoniale. Për më tepër, vlen të përmendet se që nga fundi i shekullit të 19-të një numër i madh papirusesh janë zbuluar në Oxyrhynchus, duke përfshirë tekste letrare greke me rëndësi të madhe, por risia e vërtetë qëndron në gjetjen e një papirusi letrar në një kontekst funerar”, vëren Antiego.
Nekropoli i Oksirinkut, i njohur gjatë epokës faraonike si Per-Menged, ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Egjiptit greko-romak. Rrënojat e tij ndodhen në qytetin modern të Al Banassas, rreth 190 km në jug të Kajros, pranë degës së lumit Bahr Yusef të Nilit.
Burimi: Phys.org, Independent

