Gjyqi për vdekjen e katër anëtarëve të një familjeje turko-gjermane, të cilët u helmuan nga një ilaç antiparazitar në hotelin ku po qëndronin, nëntorin e kaluar, filloi sot në Stamboll .
Raporti mjeko-ligjor i paraqitur prokurorëve tregoi “prani të lartë të gazit fosfinë”, duke sugjeruar që familja Bocek vdiq pas ekspozimit ndaj këtij insekticidi shumë toksik, i cili u përdor për dezinfektim nga hoteli ku familja po qëndronte gjatë pushimeve.Gjashtë persona janë në gjyq, pesë prej të cilëve janë lënë në paraburgim, përfshirë dy punonjës të një kompanie për kontrollin e dëmtuesve.
Të afërmit e viktimave morën pjesë në seancën dëgjimore në një gjykatë të Stambollit.
Sipas aktakuzës, prokuroria kërkon dënime me burg deri në 22 vjet e gjashtë muaj për pesë të dyshuarit e arrestuar me akuzën e “vrasjes së shumëfishtë nga pakujdesia e rëndë”, sipas agjencisë turke të lajmeve Anadolu. Personi i gjashtë përballet me deri në 15 vjet burg për “neglizhencë” të thjeshtë.
Më 12 nëntor, e gjithë familja Boček u sëmur dhe të gjithë vdiqën brenda pak ditësh: dy fëmijët, tre dhe gjashtë vjeç, ishin të parët që vdiqën, të ndjekur nga nëna e tyre dhe në fund babai i tyre.Hetuesit fillimisht dyshuan për helmim nga ushqimi, pasi familja kishte vizituar zonën turistike të Ortakojit, ku kishin ngrënë gatime të njohura vendase. Por ky skenar u hodh poshtë shpejt, pasi mediat turke raportuan se hoteli ku po qëndronin kishte një problem me pleshtat e shtratit. Gazi insekticid mund të ketë kontaminuar dhomën e familjes përmes një ventilatori në banjo.

