Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj përgjegjësve për vrasjen e së ndjerës Liridona Ademaj, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar duke e cilësuar vendimin si një dëshmi të përgjegjësisë për krimet e rënda dhe duke ritheksuar nevojën për dënime të ashpra ndaj dhunës dhe femicidit.
“Burgim i përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, dhe 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën, përgjegjësi e plotë për një krim që tronditi shoqërinë tonë. Dhuna ndaj grave dhe femicidi janë krime që kërkojnë përgjigje të ashpër, të qartë dhe pa asnjë kompromis”, ka shkruar ajo.
Sipas Gërvallës, asnjë vendim gjyqësor nuk mund të kompensojë humbjen e jetës apo dhimbjen e familjes, por drejtësia duhet të jetë e vendosur. “Drejtësia duhet të jetë e qartë, e vendosur dhe pa kompromis përballë krimeve të tilla”, ka thënë ajo.
Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë dhe Koordinatores Kombëtare kundër Dhunës, Gërvalla ritheksoi se luftimi i dhunës ndaj grave mbetet prioritet institucional i përditshëm. “Kjo nuk është një çështje që trajtohet vetëm kur ndodhin raste tragjike, por një betejë e vazhdueshme që kërkon angazhim të pandërprerë”, u shpreh ajo.
Gërvalla shtoi se efikasiteti i institucioneve matet edhe me vendosmërinë e dënimeve që shqiptohen. “Dënimet duhet të jenë në përputhje me peshën e krimit, duke dërguar një mesazh të qartë se dhuna dhe vrasjet nuk tolerohen dhe nuk relativizohen në asnjë rrethanë”, deklaroi ajo.
Ajo theksoi përkushtimin për forcimin e mekanizmave institucionalë dhe mbrojtjen e viktimave.
“Shoqëria jonë nuk mund të tolerojë më as heshtjen, as normalizimin e dhunës. Kjo është vijë e kuqe. Dhe kjo vijë duhet të mbrohet me drejtësi, përgjegjësi dhe veprim të pandërprerë”, përfundoi Gërvalla.

