Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është e gatshme të kontribuojë në një forcë ndërkombëtare stabilizuese për Gazën, përfshirë edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas tij, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, gjatë mandatit të kaluar kanë kërkuar leje për të marrë pjesë në një konferencë në Doha, Katar, ku është diskutuar për krijimin e një Force Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.
Kurti bëri të ditur se Kosova tashmë ka ndarë 500 mijë euro ndihmë humanitare për Gazën.
Ai theksoi se vendi është i gatshëm të kontribuojë edhe me kapacitete profesionale të FSK-së, veçanërisht në fushën e kërkim-shpëtimit dhe deminimit.
“Kemi qenë përfitues edhe ne nga Forcat Ndërkombëtare, në vitin 1999 sidomos, edhe më pas. Kemi dashur që të kontribuojmë edhe ne”, ka thënë Kurti.

