Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, ka ndërmarrë masa të shtuara për rritjen e sigurisë në trafik dhe uljen e aksidenteve rrugore gjatë periudhës 24–26 prill 2026.
Sipas njoftimit, kontrollet në terren janë fokusuar te shkeljet që rrezikojnë sigurinë rrugore, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë, përdorimin e telefonit gjatë ngasjes, drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit dhe pjesëmarrjen në gara shpejtësie, me theks të veçantë te motoçiklistët.
“Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 663 gjoba për kundërvajtje në trafik,” thuhet në njoftim.
Po ashtu, janë marrë edhe masa ndëshkuese shtesë.
“18 drejtuesve të mjeteve iu është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të të gjitha mjeteve motorike, si dhe janë sekuestruar 50 motoçikleta,” bëhet e ditur më tej.
Nga gjobat e shqiptuara, 267 kanë qenë për tejkalim të shpejtësisë, 100 për përdorim të telefonit gjatë ngasjes, 68 ndaj motoçiklistëve për mosvendosje të helmetës dhe shkelje të tjera, 10 për drejtim nën ndikimin e alkoolit dhe 2 për pjesëmarrje në gara shpejtësie.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për respektim të rregullave të komunikacionit, duke theksuar se veprimet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve.

