Monday, April 27, 2026
HomeLajmeKosovëMiratohet Komisioni i ri për Provimin e Jurisprudencës

Miratohet Komisioni i ri për Provimin e Jurisprudencës

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozim – vendimin e qeverisë për formimin e Komisonit të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës. 63 deputetë kanë votuar pro, ndërsa 4 ishin kundër dhe asnjë abstenim.

Komisioni i ri është në këtë përbërje: Arian Gashi, kryetar, Ersan Qavolli, Lumni Sallauka, Arsim Hamza, Anita Prenaj Krasniqi, Suada Rama Hamza, Burim Shala, Nehat Qelaj, Bujar Muzaqi dhe Hysni Ismaili.

Ndërsa zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë paraqitjes së propozim-vendimit për emërimin e përbërjes së re të Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës para deputetëve theksoi se vendimi për ndryshimin e komisionit vjen pas një vlerësimi gjithëpërfshirës të procesit për periudhën 2023-2025.

Sipas saj, gjetjet e Ministrisë së Drejtësisë kanë evidencuar mangësi thelbësore që prekin direkt integritetin e provimit.

Ministrja Gërvalla-Schwarz bëri të ditur se gjatë mandatit të fundit janë pranuar mbi 243 ankesa nga kandidatët, të cilat nuk janë shqyrtuar në mënyrë substanciale. Ajo renditi disa nga shkeljet kryesore: Devijime programore: Hartim i pyetjeve jashtë programit dhe në mospërputhje me legjislacionin në fuqi; Mungesë e objektivitetit: Vlerësim i kandidatëve pa arsyetim të mjaftueshëm, duke krijuar hapësirë për trajtim jo të barabartë dhe parregullsi në dokumentim: Mospërputhje ndërmjet procesverbaleve dhe vlerësimeve përfundimtare të kandidatëve.

Një tjetër pikë shqetësuese që ministrja ngriti ishte rënia drastike e shkallës së kalueshmërisë.

“Ndërkohë që në periudhën 2021-2023 kalueshmëria ishte mbi 34%, në mandatin e komisionit aktual (2023-2025) ajo ka rënë në nivelin 3 deri 4%”, tha ajo.

Sipas ministres, kjo shpërputhje e madhe ngre dyshime të arsyeshme mbi konsistencën e vlerësimit dhe standardet e aplikuara.

Ministrja nënvizoi se qëllimi i emërimit të përbërjes së re është garantimi i një procesi profesional që bazohet ekskluzivisht në meritokraci.

“Ky veprim është ndërmarrë për t’i adresuar nevojat dhe pritshmëritë e kandidatëve, si dhe për të siguruar që sistemi i drejtësisë të furnizohet me juristë të vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe transparente”, përfundoi ajo, duke ftuar ligjvënësit ta mbështesin këtë ndryshim.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram