Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se ka lëshuar një qarkore zyrtare që synon të rrisë sigurinë publike dhe cilësinë e ndërtimeve në Kosovë, duke vendosur rregulla më të rrepta për projektim dhe zbatim të punimeve ndërtimore nga profesionistë të licencuar.
Sipas saj, me këtë qarkore obligohen të gjitha institucionet publike, komunat dhe ndërmarrjet që të pranojnë vetëm projekte të hartuara sipas standardeve të ndërtimit nga inxhinierë dhe arkitektë të licencuar.
“Nuk do të lejojmë më që siguria e qytetarëve tanë të lihet në dorë të personave të palicencuar. Çdo projekt, çdo mbikëqyrje dhe çdo nënshkrim teknik duhet të bëhet nga profesionistë të verifikuar e me përgjegjësi ligjore”, ka theksuar Pacolli.
Ajo ka shtuar se ky hap vjen pas funksionalizimit të plotë të Odave Profesionale dhe synon garantimin e standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë në ndërtim.
Sipas qarkores, mosrespektimi i dispozitave përbën shkelje të Ligjit për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit dhe Ligjit për Ndërtim, duke cenuar sigurinë publike dhe përgjegjësinë profesionale.

