I akuzuari Sllobodan Radenkoviq ka pranuar fajësinë për dy vepra penale, pas një marrëveshjeje të arritur me Prokurorinë Speciale të Kosovës. Gjykata e ka pranuar marrëveshjen, sipas së cilës ai ka pranuar përgjegjësinë për “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, lidhur me ngjarjet e 29 majit 2023 në Zveçan. Prokuroria ka theksuar se marrëveshja është arritur “me vullnet të lirë, pa presion”.
I akuzuari Sllobodan Radenkoviq ka pranuar fajësinë për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, pas arritjes së një marrëveshjeje me Prokurorinë Speciale.
Sipas aktakuzës, më 29.05.2023, në perimetrin e Komunës së Zveçanit, ai dyshohet se “ka marrë pjesë aktive në një grup që ka ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës KFOR dhe Policisë së Kosovës”.
Prokurori special Bekim Kodraliu ka deklauar se marrëveshja është arritur në mënyrë të ligjshme dhe pa presion:
“Marrëveshja është arritur me vullnet të lirë, pa presion dhe në konsultim të vazhdueshëm me mbrojtësin e të pandehurit”, ka theksuar ai
Ai ka treguar edhe dënimet e dakorduara.
“Për veprën penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ t’i shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve. Ndërsa për veprën tjetër 6 muaj, me mundësi zëvendësimi me gjobë prej 15 mijë euro”, tha ai.
Mbrojtja e të akuzuarit u pajtua me marrëveshjen dhe kërkoi që pagesa e shumës së gjobës të bëhet me këste për dy vjet. Edhe vetë i akuzuari deklaroi se qëndron prapa marrëveshjes së arritur me Prokurorinë Speciale.
Gjykata, me gjyqtaren Medie Bytyqi, e ka pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

