Thursday, April 30, 2026
HomeLajmeKosovëOVL e UÇK-së: Raportet ndërkombëtare konfirmojnë shkelje në Speciale

OVL e UÇK-së: Raportet ndërkombëtare konfirmojnë shkelje në Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar sërish lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se përpjekjet e saj të vazhdueshme ndër vite po marrin tani vëmendje më të gjerë ndërkombëtare.

Përmes një komunikate për media, OVL e UÇK-së rikujton se përmes qindra letrave drejtuar institucioneve ndërkombëtare, takimeve me ambasadorë të shteteve mike dhe personalitete të rëndësishme, si dhe angazhimeve në Parlamenti Evropian, në Parlamentin e Zvicrës dhe në Vatikan, ka ngritur vazhdimisht shqetësime për mënyrën e zhvillimit të proceseve në Dhomat e Specializuara.

Sipas kësaj organizate, të gjitha këto aktivitete, përfshirë protestat brenda dhe jashtë vendit si dhe peticionin qytetar, kanë pasur një qëllim të vetëm: kundërshtimin e asaj që e cilësojnë si padrejtësi dhe shkelje në gjykimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së.

OVL e UÇK-së thekson se shqetësimet e ngritura ndër vite po gjejnë tashmë mbështetje edhe në raportet ndërkombëtare. Në veçanti, organizata i referohet një raporti të fundit të një organizate britanike për të drejtat e njeriut, i cili ngre dyshime serioze për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të këtyre proceseve.

“Ky raport përbën një konfirmim të qartë se alarmet tona kanë qenë të drejta dhe të argumentuara,” thuhet në reagim.

Organizata e veteranëve e konsideron këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjësimit ndërkombëtar mbi funksionimin e gjykatës, duke shtuar se drejtësia selektive dhe standardet e dyfishta nuk mund të sjellin besim apo drejtësi të qëndrueshme.

Në fund, OVL e UÇK-së u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare që të marrin seriozisht këto gjetje dhe të ndërmarrin hapa konkretë për garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Organizata thekson se do të vazhdojë angazhimin e saj në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare dhe të dinjitetit të ish-luftëtarëve, duke mos u ndalur përballë asnjë padrejtësie.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram