Një kopsht zoologjik popullor japonez ka shtyrë hapjen e sezonit të verës pasi një punonjës pranoi në polici se e kishte hedhur trupin e gruas së tij në një furre brenda kopshtit zoologjik. Kopshti zoologjik në qytetin verior të Asahikawas duhej të rihapej për vizitorët këtë të mërkurë, pak para fillimit të Javës së Artë, një periudhë festive popullore në Japoni, raporton BBC.
Megjithatë, administrata e qytetit njoftoi se kopshti zoologjik do të mbetet i mbyllur të paktën deri sot, ndërsa hetimi vazhdon.
Policia kontrolloi kopshtin zoologjik javën e kaluar pasi një punonjës rrëfeu fajin. Inceneratori ku dyshohet se u shkatërrua trupi përdoret normalisht për të asgjësuar kufomat e kafshëve të ngordhura. Sipas mediave lokale, autoritetet kanë qenë në kërkim të gruas së punonjësit që kur një mik e raportoi zhdukjen e saj në polici.I hapur në vitin 1967, Kopshti Zoologjik Asahiyama është një nga më të vizituarit në vend, i njohur për mjediset e tij unike me kupola xhami dhe shtigjet e ngritura që u lejojnë vizitorëve të shohin kafshët nga afër. Parku, i cili tërheq më shumë se një milion vizitorë në vit, ishte mbyllur që nga 8 prilli për mirëmbajtje rutinë përpara sezonit të verës.
Kryetari i bashkisë: “Një krizë e paparë”
Kryetari i bashkisë së Asahikawa, Hirosuke Imazu, tha në një konferencë për shtyp se qyteti po përballet me një “krizë të paparë”. “Askush nuk mund ta parashikonte këtë”, tha ai. “Jam i mbushur me ankth të madh”, shtoi ai.
Autoritetet kërkuan falje për shqetësimin dhe paralajmëruan se kopshti zoologjik mund të mbyllet pa paralajmërim nëse hetimi e kërkon këtë. Pavarësisht gjithçkaje, kryetari i bashkisë shprehu shpresën se vizitorët do të kthehen. “Ne po përgatitemi t’ju mirëpresim dhe shpresojmë që sa më shumë njerëz të vijnë në park”, tha ai.

