Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale të ambasadores së re të Kosta Rikës në Kosovë, Olga M. Sauma Uribe.
Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të kontribuojë në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërshtetërore.
“Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e hershme dhe parimore të Kosta Rikës për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke theksuar potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Ajo vuri në pah se Kosova i vlerëson lart marrëdhëniet miqësore me shtetet e Amerikës Latine dhe mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me vendet e këtij rajoni në fusha me interes të ndërsjellë”, vazhdon njoftimi i Presidencës së Kosovës.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në diplomaci, ekonomi dhe veçanërisht në turizëm.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit për heqjen e ndërsjellë të vizave ndërmjet dy vendeve, si hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit midis qytetarëve tanë, bizneseve, si dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe”, vazhdon njoftimi.

