Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, e cilësoi funksionalizimin e Gjykatës Administrative të Kosovës si vënie në funksion të një mekanizmi jetik për shtetin ligjor, që do të shërbejë si mbrojtës i të drejtave të qytetarëve përballë administratës shtetërore.
“Gjykata Administrative vjen si e para e llojit të saj në Kosovë, e specializuar ekskluzivisht për trajtimin e konflikteve administrative dhe kontesteve të punës brenda sektorit publik”, tha ajo
Sipas Gërvallës, ky institucion do të ofrojë një adresë të qartë dhe profesionale për qytetarët, zyrtarët publikë dhe vetë institucionet.
“Administrata publike prek jetën e qytetarit çdo ditë përmes vendimeve, lejeve dhe procedurave. Prandaj, çdo vendim duhet të jetë i ligjshëm, i arsyetuar dhe, mbi të gjitha, i kontrollueshëm”, u shpreh ajo gjatë fjalimit.
Ajo bëri të ditur se institucioni nuk po e fillon punën nga pika zero, por po bart një barrë të rëndë prej mbi 10 mijë lëndëve të pazgjidhura.
Në mbyllje, Ministrja rikonfirmoi se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë për gjyqësorin, por me një kërkesë të qartë për llogaridhënie dhe rezultate të matshme. Ajo uroi që pas një viti, bilanci i punës të karakterizohet nga ulja e numrit të lëndëve dhe vendosja e standardeve të larta të drejtësisë, duke e konsideruar këtë ditë si një hap vendimtar drejt një reforme të denjë dhe të fuqishme në sektorin e drejtësisë në Kosovë.

