Vendin e parë në listën e destinacioneve më të mira evropiane për udhëtime solo në vitin 2026 e zuri Italia, sipas indeksit të përpiluar nga kompania Much Better Adventures.Renditja u bë bazuar në faktorë të tillë si siguria, përballueshmëria e ushqimit dhe lehtësia e marrjes së vizave. Edhe pse Kirgistani renditet globalisht si destinacioni më i mirë për aventura solo për vitin 2026, në pjesën evropiane të listës vendi i parë i shkoi Italisë.
Autorët e hulumtimit pohojnë se Italia kombinon gastronominë e mirë, lidhjet e përshtatshme hekurudhore dhe peizazhet e larmishme, prandaj është tërheqëse për udhëtarët që udhëtojnë vetëm.Marta Marinelli, dizajnere udhëtimesh në Much Better Adventures, tha: “Pavarësisht nëse jeni duke bërë shëtitje në Dolomite, duke ngarë biçikletën nëpër ullishte në Toskanë apo duke ecur në shtigjet bregdetare të Ligurias, Italia ofron një kombinim të rrallë aventure dhe kulture që do t’ju bëjë të ktheheni përsëri.”
Portugalia u rendit në vendin e dytë, e veçuar për sigurinë dhe infrastrukturën e saj të mirë, me rekomandime që përfshinin bregdetin e Atlantikut, Azoret dhe rrugët e peshkimit jashtë Lisbonës dhe Algarves. Spanja u rendit në vendin e tretë, me bregdetin e Kantabrisë, Galician dhe Murcian të përmendura si alternativa më të qeta ndaj qendrave turistike të mbipopulluara.
Në pjesën tjetër të renditjes evropiane, vijojnë Norvegjia, Sllovakia, Shqipëria, Islanda, Greqia, Sllovenia dhe Rumania. Norvegjia shquhet për sigurinë dhe natyrën, Shqipëria për çmimet e ulëta dhe bregdetin, ndërsa Rumania e mbyll listën si një nga opsionet më të përballueshme për udhëtarët solo.
Bashkëthemeluesi i Much Better Adventures, Sam Bruce, tha se udhëtarët po i drejtohen gjithnjë e më shumë udhëtimeve solo me një qëllim, domethënë destinacioneve që ofrojnë një ndjenjë sigurie dhe komuniteti, pa hequr dorë nga aventura dhe zbulimi i vendeve të reja.

