Qeveria e Kosovës ka nisur përgatitjet për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që shënohet më 5, 6 dhe 7 mars. Për këtë, tanimë është themeluar edhe Këshillit Shtetëror për shënimin e 28 vjetorit të kësaj Epopeje, në krye me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Për përbërjen e këtij Këshilli ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nga e cila kanë bërë të ditur se fillimisht nuk janë përfshirë në këtë Këshill.
“Edhe ftesa është bërë në formën si urdhëresë se pjesëmarrja është e obligueshme në atë kuptimin, ne jemi organizatë joqeveritare dhe nuk i bindemi asnjë urdhërese, prandaj këto organizimet tona janë vullnetare dhe janë të karakterit joqeveritar. Bëj thirrje dhe ftoj Qeverinë e Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, që sa më parë që të jetë e mundur të kemi kontakte të rregullta dhe në dobi dhe në interes të përgjithshëm”, tha Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL të UÇK-së.
Pikërisht për organizimi e kësaj Epopeje, Këshilli Shtetëror ka mbajtur të martën mbledhjen e parë, në të cilën nuk ishin të pranishëm askush nga OVL e UÇK-së. Këtë shqetësim tha se e ka ngritur në mbledhje, nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura.
“Takimi shkoi mirë, si gjithmonë i përvitshëm që kemi mbajtur, përjashtimisht, mungesën e vërejta të organizatave të dala nga lufta, me këtë rast unë si anëtar i këtij Këshilli e adresova këtë çështje, dhe mora përgjigje nga kryesuesi se shoqatat janë pjesë e vendimit të Këshillit dhe të njëjtën kohë janë ftuar përmes e-mail adresës, me ç’rast ne i posedojmë edhe e-mail adresat, por mbet kryesuesi me bashkë-kryesuesin e këtij Këshilli që të kenë takim të përbashkët me shoqatat e dala nga lufta”, tha Nura.
Sipas Nurës, aktivitetet kryesore në këtë Epope, përfshijnë parakalimin e FSK-së, homazhet, ceremoninë qendrore, organizimet në Skenderaj me “Natën e Zjarreve” si dhe ligjërimin në të gjitha shkollat e vendit për Epopenë e UÇK-së, me qëllim që siç tha ai, nxënësve t’u përcillet e vërteta e jo ajo që u ligjërua ditë më parë nga zyrtarë të Gjykatës Speciale.

