Ish presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka deklaruar se ribashkimi politik në LDK është dëshmi e unitetit dhe e gatishmërisë për të lënë mënjanë ndasitë, me qëllim vazhdimin e një rruge të përbashkët për Kosovën. Ajo tha se orientimi është drejt një shteti të fortë, me aleanca të qëndrueshme ndërkombëtare dhe me respekt të ndërsjellë me partnerët.
“Shume te dashur motra e vëllezër, motra e vëllezër kemi qenë gjithmonë, mirë se ju rigjeta. Për muaj të tërë kemi ecur bashkë me qytetarët anëkënd Kosovës, na i hapën dyert e shtëpive e zemrat e tyre, i dëgjuam hallet e tyre, pamë zhgënjimin e sinqertë por mbi zhgënjimin në sytë e tyre gjetëm edhe një dritë, thirrjen për shpresë”, deklaroi Osmani në “Tubimin e Bashkimit”.
“Sonte para jush nga thellësia e shpirtit dua të them zemërplotë po kthehem në shtëpinë time. Po kthehem këtu ku lindi ëndrra jonë e përbashkët, për Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ajo.
Osmani tha se ky ribashkim është dëshmi e unitetit dhe aftësisë për të lënë mënjanë ndasitë politike, duke shtuar se qëllimi është ndërtimi i një Kosove të fortë me orientim të qartë ndërkombëtar. “Po bashkohemi sot jo si pjesë të njëjta të trungjeve të ndryshme, por si pjesë të ndryshme të të njëjtit trung”, u shpreh ajo, duke theksuar edhe rëndësinë e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe respektin ndërkombëtar.
“Po bashkohemi sot për të vazhduar idealin që thërret për bashkim. Për një Kosovë të fortë brenda e lidhur ngushtë me Amerikën jashtë, një Kosovë ku interesi shtetëror gjithnjë e mund kalkulimin politik, një Kosovë që ndërton ura e nuk i pret në besë as aleatët brenda e as aleatët tanë të lirisë”, tha ajo.
Ajo konfirmoi edhe pranimin e kandidaturës për presidente të Kosovës.
“E pranoj besimin për të qenë kandidatja juaj dhe e popullit të Kosovës për presidente të Republikës së Kosovës. Ndërkaq ju sot pranoni besën time, pranoni vullnetin tim, pranoni zotimin tim të palëkundur që Kosovën do ta rikthejmë në lartësinë e vizionit të atit tonë themeltar, dr. Ibrahim Rugovës”, deklaroi Osmani.
Ajo akuzoi partinë në pushtet se po e çon vendin sërish në zgjedhje, sepse sipas saj “nuk ngopen kurrë” dhe se kjo bëhet, siç tha ajo, për të eliminuar një presidente që ulet me presidentin e SHBA-ve.
“Në njërën anë është rruga e atyre që kërcënojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj sepse nuk ngopen kurrë. Rruga e atyre që e shndërrojnë në mision eliminim e çdonjërit që Republikën e vendosë para çdo interesi partiak e ideologjik. Rruga e atyre që e dërguan vendin në zgjedhje të panevojshme e ia refuzuan popullit 51% vetëm e vetëm për ta eliminuar një presidente që ulet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi ajo.
“Kurse rruga tjetër është rruga e amanetit të Rugovës, është rruga e shtetit serioz, është rruga e aleancave të forta, e respektit ndërkombëtar, rruga e Kosovës që nuk përkulet kurrë e as nuk vetizolohet, e Kosovës që u ndërtua nga populli i saj me mbështetjen e mërgatës sonë të jashtëzakonshme. E unë kam zgjedhur këtë rrugë”, deklaroi Osmani.
Vjosa Osmani i është bashkuar listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Ajo do të jetë bartëse e listës zgjedhore të LDK-së dhe është propozuar nga kjo parti, si kandidate për presidente të Kosovës pas zgjedhjeve.

