Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mirëpritur dy aktgjykime të Gjykatës Supreme të Kosovës, të cilat janë nxjerrë në rastet e iniciuara nga ky institut në mbrojtje të interesit publik.
Rasti i parë ka të bëjë me shfuqizimin e tarifës prej 3 eurosh për shoqëruesit e pacientëve, të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë (MSH). Rasti i dytë lidhet me shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për procedurat përzgjedhëse të personelit akademik.
Në një konferencë për media, hulumtuesja e lartë e IKD-së, Arrita Rezniqi, tha se IKD ka arritur të përfaqësojë me sukses interesin publik në të dy rastet e ngritura para Gjykatës Supreme.
Sipas saj, në rastin kundër Ministrisë së Shëndetësisë, IKD ka kontestuar ligjshmërinë e Udhëzimit Administrativ për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore, duke argumentuar se ministria ka krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë ligjore.
Rezniqi theksoi se asnjë akt nënligjor nuk mund të krijojë obligime të reja për qytetarët përtej asaj që përcakton ligji, duke shtuar se çdo tejkalim i kompetencave përbën shkelje të parimit të legalitetit dhe hierarkisë së normave juridike, si dhe cenon sigurinë juridike.
Ajo shtoi se shoqërimi i pacientëve nuk është zgjedhje e lirë, por rrjedh nga kufizimet e sistemit shëndetësor dhe nevojat bazike të pacientëve.
Ndërkohë, lidhur me rastin ndaj Universitetit të Prishtinës, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, tha se aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk e ndalon universitetin që të mbrojë integritetin akademik, por obligon që kjo të bëhet brenda kornizës ligjore.
Ai theksoi se UP-ja ka të drejtë të verifikojë nëse publikimet shkencore janë reale dhe në përputhje me standardet, por kjo duhet të bëhet me rregulla të qarta dhe prova konkrete.
Sipas Shalës, një person nuk mund të penalizohet për veprime që kanë qenë në përputhje me rregullat në fuqi në kohën kur janë kryer, edhe nëse më vonë ato rregulla ndryshojnë.
Ai shtoi se rasti ka rëndësi jo vetëm për Universitetin e Prishtinës, por për të gjitha institucionet publike, pasi parimi bazë mbetet i njëjtë: institucionet duhet të veprojnë brenda ligjit, ndërsa rregulloret nuk mund të krijojnë kompetenca që nuk parashihen me ligj.
Shala vlerësoi se ky vendim përbën një sukses të rëndësishëm në forcimin e ligjshmërisë dhe kontrollit gjyqësor ndaj akteve nënligjore, duke theksuar se institucionet duhet të mbrojnë integritetin dhe cilësinë, por gjithmonë përmes ligjit dhe procedurave të qarta e të drejta.

