Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, lidhur me vizitën në Klubin “Dëshira”, në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor, ka vënë theksin te rëndësia e trajtimit të shëndetit mendor si prioritet institucional dhe shoqëror.
Gërvalla u shpreh se “shërbimet e shëndetit mendor nuk janë luks, por domosdoshmëri publike që nuk duhet të mbeten jashtë vëmendjes institucionale dhe prioritetit të politikave publike”.
Ajo e cilësoi Klubin “Dëshira” si model të punës shembullore në fushën e shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë. Organizata, e themeluar në vitin 2001, ofron mbështetje për personat me aftësi të kufizuara mendore dhe dëmtime intelektuale, me fokus rehabilitimin, përfshirjen shoqërore dhe fuqizimin e jetës së pavarur.
Sipas saj, në këtë qendër muzika dhe aktivitetet e përditshme përdoren si formë terapie dhe si mënyrë për të nxitur komunikimin dhe ndërveprimin social, duke krijuar një mjedis që i kushton rëndësi mirëqenies emocionale të anëtarëve.
Gërvalla falënderoi Drejtorin Ekzekutiv, Nusret Shillova, dhe anëtarët e klubit për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm.
“Kjo punë jep shpresë dhe motivon për forcimin e bashkëpunimit institucional e shoqëror, me synim avancimin e të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e kësaj Republike, pa dallim”, theksoi ajo.

