Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, mori pjesë në hapjen e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë 2026”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Kosovës. Në edicionin e të 17-të, konferenca mblodhi akademikë, studiues, profesorë dhe përfaqësues institucionalë nga Kosova, Shqipëria dhe hapësira të tjera shqiptare, për të diskutuar mbi zhvillimet më të reja në fushën e albanologjisë, gjuhësisë, historisë, letërsisë dhe trashëgimisë kulturore.
Sipas njoftimit të MASH-it, në fjalën e tij, Çeku theksoi rëndësinë e albanologjisë si një nga shtyllat themelore të identitetit kulturor dhe kombëtar shqiptar. Ai vlerësoi kontributin e studiuesve shqiptarë ndër vite në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe kujtesës historike, duke potencuar se “Java e Albanologjisë” është shndërruar në një hapësirë të rëndësishme të dialogut shkencor dhe akademik.
“Ministri Çeku u ndal veçanërisht te sfidat e gjuhës shqipe në epokën digjitale, me ç’rast theksoi nevojën për zhvillimin teknologjik të saj përmes korpuseve moderne gjuhësore, fjalorëve digjitalë, sistemeve të përkthimit automatik dhe platformave të inteligjencës artificiale që mbështesin shqipen”, thuhet në njoftim.
Për rëndësinë e konferencës dhe rolin e Institutit Albanologjik si një institucion me rëndësi të veçantë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare shqiptare folën edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Instituti Albanologjik, Fadil Grajqevci dhe konsulli i Shqipërisë në Kosovë, Françesk Fusha.

