Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, në konferencë për media ka prezantuar rezultatet kryesore të 100 ditëve të para të mandatit qeverisës, duke theksuar një sërë reformash në digjitalizim, administratë publike dhe siguri kibernetike.
Ai tha se procesi i digjitalizimit është duke u zgjeruar përmes shërbimeve të integruara të bazuara në ngjarje jetësore, të cilat tashmë kanë filluar në disa komuna dhe po shtrihen më gjerë.
“Vitin e kaluar patëm lansuar qasjen e ofrimit të integruar të shërbimeve bazuar në ngjarje jetësore… kurse sivjet kjo reformë u shtri edhe në komunën e Prishtinës dhe është duke vazhduar edhe në komunat e tjera”, tha Jagxhiu.
Ai njoftoi se gjatë qershorit pritet të fillojë zbatimi i shërbimeve të reja të lidhura me ngjarjet jetësore si lindja, vdekja, hapja e biznesit dhe ndërrimi i adresës.
Sipas tij, gjatë kësaj jave fillon edhe zyrtarisht projekti E-Kosova 2.0.
“E-Kosova 2.0 do të përfshijë 400 shërbime të reja administrative, duke u përfshirë edhe funksionalitete që bazohen në inteligjencën artificiale, performancë të përmirësuar dhe siguri të shtuar”, deklaroi ai.
Jagxhiu tha se po zhvillohet edhe korniza nacionale e interoperabilitetit dhe platforma e re e gjeneratës së ardhshme, duke theksuar se synohet ngritja e nivelit të lidhjes së regjistrave shtetërorë.
Ai njoftoi gjithashtu për avancimin e portalit të të dhënave të hapura dhe krijimin e katalogut digjital të shërbimeve administrative, që do të ndihmojë në planifikimin e digjitalizimit.
Në fushën e infrastrukturës digjitale, ministri tha se është përfunduar dizajni për modernizimin e rrjetit qeveritar GovNet dhe po përgatitet tranzicioni drejt ‘cloud’-it hibrid.
“Synojmë krijimin e një infrastrukture moderne, të sigurt dhe të shkallëzueshme për epokën e inteligjencës artificiale”, u shpreh ai.
Ai bëri të ditur edhe sigurimin e një granti prej 700 mijë dollarësh nga Korean Green Innovation Fund, për projekte të inteligjencës artificiale në administratë.
Në kuadër të sigurisë kibernetike, Jagxhiu tha se është funksionalizuar faza e parë e Government SOC dhe CyberLab.
“Kjo qendër mundëson monitorimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve dhe incidenteve të sigurisë”, tha ai.
Ai shtoi se vetëm gjatë tre muajve të fundit janë realizuar 81 trajnime me rreth 2,200 pjesëmarrës përmes Institutit të Kosovës për Administratë Publike.
Në fund, ministri në detyrë përmendi edhe reformat në administratën publike, përfshirë racionalizimin e agjencive dhe ndryshimet ligjore që rrisin llogaridhënien dhe efikasitetin institucional.

