Friday, May 29, 2026
HomeLajmeKosovëIKD publikon raportin për integritetin e listave zgjedhore për zgjedhjet

IKD publikon raportin për integritetin e listave zgjedhore për zgjedhjet

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përmes një konference për medie, ka publikuar raportin “Integriteti i listave zgjedhore – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 7 qershor 2026”, përmes të cilit ka analizuar listat e kandidatëve për deputetë të subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Shqiponjë Gashi, hulumtuese në IKD, në hapjen e kësaj konference mes tjerash theksoi se IKD në vazhdimësi ka avokuar për dekriminalizimin e politikës dhe forcimin e integritetit të personave që synojnë të ushtrojnë funksione publike. Në këtë drejtim, IKD vlerëson se personat e përfshirë në raste penale, edhe kur nuk kanë kufizime ligjore për kandidim, nuk duhet të jenë pjesë e listave zgjedhore dhe as bartës të funksioneve publike.

Gashi sqaroi se me kandidatë të përfshirë në raste penale nënkuptohen kandidatët që kanë aktakuza aktive ose dënime penale të formës së prerë.

Ajo theksoi se ky vlerësim nuk nënkupton paragjykim të fajësisë dhe as cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë, por synon të vlerësojë standardin e integritetit që subjektet politike kanë aplikuar gjatë hartimit të listave zgjedhore.

Ndërkaq, prezantimi i gjetjeve kryesore të këtij raporti, u bë nga Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD.

Shala theksoi se nga kjo analizë del të jetë se edhe këto zgjedhje partia më e madhe po e vazhdon traditën ku në lista ka numër të madh të kandidatëve me aktakuza aktive ose të dënuar për vepra penale, për dallim te partive tjera që kanë shumë më pak njerëz të dënuar ose me aktakuza aktive.

Ai bëri të ditur se nga analiza e IKD-së, rezulton se 25 kandidatë apo 2.77% e numrit total të kandidatëve janë të përfshirë në raste penale. Prej tyre, 15 kandidatë kanë aktakuza aktive, ndërsa 13 kandidatë kanë dënime penale të formës së prerë. Në tre raste, kandidatët janë evidentuar në të dy kategoritë.

Sa i përket aspektit të veprave penale, 25 kandidatët e evidentuar janë të përfshirë në gjithsej 29 raste penale. Sipas kapitujve të Kodit Penal, dominojnë veprat që ndërlidhen me korrupsionin zyrtar dhe detyrën zyrtare, ndërsa si vepër penale individuale më e shpeshtë rezulton “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, me 10 kandidatë të evidentuar.

Në aspektin e krahasimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, Shala tha se në zgjedhjet e vitit 2026 është shënuar ulje e lehtë e numrit të kandidatëve të përfshirë në raste penale, nga 27 në 25, si dhe e kandidatëve me aktakuza aktive, nga 18 në 15. Megjithatë, është rritur numri i kandidatëve me dënime penale, nga 12 në 13, si dhe numri i subjekteve politike që kanë përfshirë kandidatë të tillë në listat e tyre, nga 7 në 8.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram