Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se Komuna dhe Trepça, kanë nënshkruar Marrëveshjen për Shfrytëzimin e Pronës së Paluajtshme, me synim renovimin dhe rifunksionalizimin e objektit të kinemasë së dikurshme në qytet.
Sipas Pecit, objekti që dikur shërbente si qendër e aktiviteteve kulturore dhe artistike do të përshtatet për nevojat e komunitetit artistik, Komunës dhe ndërmarrjes Trepça.
“Kinemaja që dikur ishte aktive do ta renovojmë dhe ta rifunksionalizojmë, për nevoja të komunitetit artistik, Komunës tonë dhe Ndërmarrjes”, ka deklaruar ai.
Kryetari theksoi se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm drejt ringjalljes së jetës kulturore në Mitrovicë, duke krijuar hapësira të reja për aktivitete artistike dhe kulturore.
Ai gjithashtu falënderoi Kryeshefin Ekzekutiv të Trepçës, Faton Ahmeti, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e treguar në realizimin e këtij projekti.
“Nënshkruam Marrëveshjen për Shfrytëzimin e Pronës së Paluajtshme ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe Trepça do t’ia rikthejmë jetën kulturore e artistike”, thuhet në njoftimin e kryetarit.
Projekti pritet të kontribuojë në pasurimin e jetës kulturore të qytetit dhe në krijimin e mundësive të reja për artistët dhe organizatat kulturore në Mitrovicë.

