Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti tubim elektoral në Komunën e Ferizajt. Në këtë komunë, kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik , Lumir Abdixhiku premtoi 500 milionë euro investime derisa shtoi se Ferizaj do të jetë komuna me investimet më të mëdha energjetike.
“Në Ferizaj kemi program 113 pikesh dhe nuk ka program, nuk ka pas e nuk ka me pas që Ferizajt i jep më shumë, central me gaz, gaz amerikan dhe plot 500 milionë euro investime në Ferizaj”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërsa bartësja e listës së LDK, Vjosa Osmani tha se Ferizaj ka dëshmuar që lidhja me SHBA-të është shumë e rëndësishme, derisa premtoi që në fillim të mandatit do të anëtarësojnë Kosovën në NATO.
“Qysh në fillim të mandatit do të bëjmë dy gjëra: Kosova shteti i 33 anëtar i NATO-s menjëherë ne mandatin tonë dhe Kosova me gaz amerikan pikërisht në Ferizaj si kryeqendra e zhvillimit energjetik të Kosovës, sepse rruga e Kosovës drejt NATO është gjëja që i duhet sot Kosovës. Kosova duhet të jetë vend ku të rinjtë zhvillohen e nuk ikin për shkak të mungesës së perspektives”, ka thënë Osmani.
LDK duke bërë thirrje për dalje masive në zgjedhjet e 7 qershorit prezantoi kandidatët për deputet nga Ferizaj.

