Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit ndaj pesë të pandehurve për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve N.P., S.J., B.P., S.M. dhe S.S., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas njoftimit, gjykata ka vlerësuar se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja mas, për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale, në këtë çështje penale.
“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale, po ashtu duke marr parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen lehtë dhe të jenë të pa arritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pa mundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, vazhdon njoftimi.

