Monday, June 15, 2026
HomeGjeopolitikOpinionKush e varrosi gazetarinë në Kosovë?

Kush e varrosi gazetarinë në Kosovë?

Shkruan Zejdush KASTRATI

Pothuajse gjithmonë i akuzojmë liderët politikë se ushtrojnë presion mbi mediat, i blejnë ato, i shantazhojnë gazetarët apo edhe i kërcënojnë. Nuk mund të mohohet se raste të tilla ekzistojnë. Në fund të fundit, nuk ka pushtet në botë që nuk përpiqet t’i mbajë mediat afër vetes, t’i joshë apo t’i shndërrojë në aleate, duke e ditur fuqinë e tyre në informim, por edhe në dezinformim.
Megjithatë, në Kosovë problemi nuk qëndron vetëm te politika. E keqja më e madhe e një pjese të mediave, sidomos e pronarëve të tyre, ka qenë vetëservilizmi. Pa presion, pa detyrim, me vullnet të plotë dhe për interesa të ngushta financiare, ata ua kanë ofruar pushteteve ekranin, mikrofonin dhe hapësirën informative sikur të ishin mall për shitje. Pikërisht kjo qasje e ka varrosur pavarësinë editoriale dhe e ka dëmtuar rëndë rolin e medias si një nga shtyllat kryesore të demokracisë.
Që nga paslufta, pushtetet e njëpasnjëshme e kanë pasur objektiv kontrollin e hapësirës mediatike. Paraja dhe interesat klanore dominuan mbi etikën profesionale, duke e shndërruar një pjesë të madhe të industrisë mediatike në instrument shërbimi për politikën dhe biznesin. Mjafton të shihet kapitali i krijuar nga shumica e pronarëve të mediave kryesore, por edhe nga disa kryeredaktorë e gazetarë të privilegjuar, për të kuptuar se kush ka përfituar më së shumti nga ky sistem.
Qeveria Kurti arriti t’i ndërpresë ose t’i kufizojë disa prej burimeve financiare prej të cilave shumë media ishin ushqyer për vite të tëra. Për një pjesë të tyre, këto burime kishin shërbyer jo vetëm për pasurim, por edhe për prodhim të vazhdueshëm të narrativave dhe dezinformatave sipas interesave të caktuara.
Por, pikërisht këtu qëndron edhe dështimi i kësaj qeverie. Ajo luftoi modelin e vjetër, por nuk ndërtoi një alternativë të re. Nuk krijoi hapësirë për zhvillimin e mediave të reja profesionale, nuk mbështeti krijimin e një gazete serioze ditore dhe as nuk e ringjalli idenë e një institucioni mediatik me peshën simbolike dhe historike të “Rilindjes”. Një iniciativë e tillë do të mund të ndikonte pozitivisht në informimin korrekt, në transparencë dhe në ngritjen e standardeve profesionale.
Për pasojë, në fushën e informimit publik, qeveria Kurti mbetet ndër më të dobëtat. Ajo arriti të bllokojë disa mekanizma të vjetër ndikimi, por nuk krijoi një model të ri komunikimi me publikun. Për një kohë të gjatë u mbyll në vetvete dhe vetëm gjatë fushatës së fundit zgjedhore u pa më shpesh në disa media, madje edhe atëherë në rrethana dhe me figura të përzgjedhura.
Sot Kosova është ende larg një sistemi mediatik që ofron informim të balancuar, profesional dhe të besueshëm. Për këtë përgjegjësi të madhe mbajnë edhe vetë gazetarët. Shumë prej tyre janë shndërruar në vartës të interesave të pronarëve të tyre, ndërsa gjendja e rëndë ekonomike shpesh i detyron të heshtin kur u shkelen të drejtat ose kur detyrohen të devijojnë nga misioni i gazetarisë.
Sa u përket opinionistëve që defilojnë nga një studio në tjetrën, vështirë se ka nevojë për shumë koment. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë kthyer në simbol të degradimit të debatit publik. Ata kanë dëmtuar raportin mes audiencës dhe mendimit të pavarur, duke e shndërruar opinionin në mall tregu. Për shumë prej tyre, kriteri kryesor nuk është e vërteta, profesionalizmi apo interesi publik, por përfitimi personal. Rasti i fundit i një kandidateje të LDK-së, e cila sipas raportimeve shpenzoi qindra mijëra euro me shpresën për t’u bërë deputete, është vetëm një ilustrim i mënyrës se si interesat financiare dhe kalkulimet personale kanë depërtuar edhe në botën e analistëve dhe opinionistëve të ekranit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram