Wednesday, June 17, 2026
HomeLajmeKosovëKomisioni Evropian kërkon zbatim më të shpejtë të projekteve IPA në Kosovë

Komisioni Evropian kërkon zbatim më të shpejtë të projekteve IPA në Kosovë

Kosova dhe Komisioni Evropian kanë mbajtur sot takimin vjetor të Komitetit Monitorues të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA), ku u diskutua zbatimi i mbështetjes financiare dhe teknike të Bashkimit Evropian për Kosovën, si dhe avancimi i reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Takimi u bashkëkryesua nga Florim Canolli, koordinator Kombëtar për IPA-n, dhe Jiri Plecity, shef i Njësisë për Serbinë dhe Kosovën në Komisionin Evropian.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian shqyrtuan progresin në zbatimin e projekteve të financuara nga BE-ja, sfidat ekzistuese dhe prioritetet për periudhën e ardhshme. Vëmendje e veçantë iu kushtua sundimit të ligjit, reformës së administratës publike, zhvillimit të sektorit privat, reformave ekonomike, kapitalit njerëzor dhe shoqërisë gjithëpërfshirëse.

Po ashtu, u diskutua për investimet e BE-së të realizuara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe programeve të Bashkëpunimit Ndërkufitar (CBC).

Komisioni Evropian vlerësoi përparimin në zbatimin e asistencës IPA dhe theksoi nevojën për realizimin në kohë të projekteve të dakorduara, në mënyrë që mbështetja e BE-së të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset. Gjithashtu, u kërkua veprim i shpejtë për projektet që përballen me sfida në zbatim.

Nga ana tjetër, Kosova riafirmoi përkushtimin për monitorim të afërt të projekteve dhe për vazhdimin e reformave të mbështetura nga Bashkimi Evropian.

Të dyja palët u dakorduan të thellojnë bashkëpunimin për të rritur efektin e asistencës së IPA-s dhe për të siguruar zbatim sa më efikas të reformave.

“Me më shumë se 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja është partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fphoto.php%3Ffbid%3D1283022167331780%26set%3Da.224096866557654%26type%3D3&show_text=true&width=500

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram