Në Hagë ka nisur seanca e deklaratave hyrëse në rastin për pengim të drejtësisë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu.
Gjykatësi ka pyetur me radhë të akuzuarit – të cilët më herët janë deklaruar të pafajshëm – nëse e kuptojnë aktakuzën dhe nëse ndihen fajtorë ose jo. Ata u deklaruan sërish të pafajshëm.
Në fillim të seancës, Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjatë shpalosjes së aktakuzës, e ngarkoi Hashim Thaçin me 11 pika për kryerje të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë.
Prokuroria tha se ai akuzohet për tri vepra penale kundër rendit publik dhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike. Sipas prokurorisë, Thaçi ka tentuar të pengojë persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, ka shkelur fshehtësinë e procedurës dhe akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës.
Edhe tre të akuzuarit e tjerë, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, ngarkohen me akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Hajredin Kuçi, në anën tjetër, akuzohet për dy pika të veprës penale të mosbindjes ndaj gjykatës.
“Të akuzuarit shkelën qëllimisht vendime gjyqësore të hartuara për të garantuar që dëshmitarët dhe viktimat mund të dëshmojnë lirshëm, pa frikë dhe pa ndikim, dhe të kenë besimin se identitetet dhe fjalët e tyre do të mbeten konfidenciale për gjykatën dhe palët”, tha prokurorja e Specializuar, Kimberly West.
West tha se, sipas saj, kjo sjellje përbën rrezik për sundimin e ligjit dhe kërkoi që dëshmitarët të japin dëshmitë e tyre pa trysni, ndikim apo ndërhyrje.
“Është me rëndësi për trashëgiminë e këtij institucioni që këto fakte të gjykohen dhe të shpallen publikisht, në mënyrë që të dokumentohen të dhëna të vërteta dhe të besueshme. Mbështetja e sundimit të ligjit do të thotë se askush nuk është mbi ligjin. Ligji vlen për të gjithë njëlloj dhe secili është përgjegjës para tij”, deklaroi ajo.
Përveç audioincizimeve, Prokuroria ka paralajmëruar se do të paraqesë edhe prova elektronike, përfshirë të dhëna nga telefonat mobilë të sekuestruar, të cilat, sipas Prokurorisë, konfirmojnë bisedat e incizuara të të akuzuarve, si dhe prova fizike, përfshirë dokumente që lidhen me vënien në shënjestër të dëshmitarëve për ndërhyrje, të cilat u konfiskuan në vendbanimet e disa prej të bashkakuzuarve.
Tre dëshmitarë të Prokurorisë janë planifikuar të japin dëshmi gjatë gjykimit, përfshirë dëshmi ekspertësh në lidhje me prejardhjen e dokumenteve të sekuestruara dhe një dëshmitar që do të dëshmojë lidhur me ekzaminimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara gjatë hetimit.
Gjyqtari i Dhomave të Specializuara në Hagë, Christopher Gosnell, tha se dëshmitarët duhet t’i përfundojnë dëshmitë e tyre deri më 6 mars, ndërsa argumentet mbyllëse pritet të paraqiten më 13 mars.
Pas përfundimit të kësaj pjese, ZPS do të vendosë për datën që do të përmbyllë gjithë procesin gjyqësor në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Nisë procesi gjyqësor në Hagë
Ka nisur me vonesë procesi gjyqësor ku do të trajtohen deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilaj, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për pengim të drejtësisë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se kanë vënë në dispozicion informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarë dhe kanë dhënë udhëzime për ndikim në dëshmitë e tyre, me qëllim të pengimit të rrjedhës normale të procesit gjyqësor.

