Gjyqtari i Dhomave të Specializuara në Hagë, Christopher Gosnell, tha se dëshmitarët duhet të përfundojnë dëshmitë e tyre deri më 6 mars dhe me argumentet mbyllëse më 13 mars.
Pas përfundimit të kësaj pjese, ZPS do të vendosë për datën që përmbyllë gjithë procesin gjykues në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Kosovës në shpalosjen e aktakuzës, ngarkoi Hashim Thaçin me 11 pika për kryerje të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë.
Prokuroria tha se ai akuzohet për tri vepra penale kundër rendit publik dhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike. Sipas prokurorisë, Thaçi ka tentuar të pengojë persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës.
Edhe tre të akuzuarit e tjerë Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu ngarkohen me akuzat për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe për mosbindje ndaj gjykatës.
Hajredin Kuçi në anën tjetër, akuzohet për dy pika të veprës penale për mosbindje ndaj gjykatës.
“Të akuzuarit shkelën qëllimisht vendime gjyqësore të hartuara për të garantuar se dëshmitarët dhe viktimat mund të dëshmojnë lirshëm, pa frikë dhe pa ndikim, dhe të kenë besimin se identitetet dhe fjalët e tyre do të mbeten konfidenciale për gjykatën dhe palët,” tha Prokurorja e Specializuar, Kimberly West.
West tha se sipas saj, kjo sjellje përbën rrezik për sundimin e ligjit dhe se kërkoi që dëshmitarët të japin dëshmitë e tyre pa trysni, ndikim apo ndërhyrje.
“Është me rëndësi për trashëgiminë e këtij institucioni që këto fakte të gjykohen dhe të shpallen publikisht, në mënyrë që të dokumentohen të dhëna të vërteta dhe të besueshme. Mbështetja e sundimit të ligjit do të thotë se askush nuk është mbi ligjin. Ligji vlen për të gjithë njëlloj dhe secili është përgjegjës para tij”, deklaroi ajo.
Përveç audio incizimeve, Prokuroria ka paralajmëruar se do të shfaq prova elektronike përfshirë nga telefona mobilë të sekuestruar, të cilat sipas Porkurorisë, konfirmojnë bisedat e incizuara të të akuzuarve dhe prova fizike, përfshirë dokumente që lidhen me vënien në shënjestër të dëshmitarëve për ndërhyrje, të cilat u konfiskuan në vendbanimet e disa prej të bashkakuzuarve të tij.
Tre dëshmitarë të prokurorisë janë planifikuar të japin dëshmi gjatë gjykimit, përfshirë dëshmi ekspertësh në lidhje me prejardhjen e dokumenteve të sekuestruara, dhe një dëshmitar që do të dëshmojë në lidhje me ekzaminimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara gjatë hetimit.
Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu e Kuçi deklarohen sërish të pafajshëm
Në Hagë ka nisur seanca e deklaratave hyrëse në rastin për pengim të drejtësisë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu.
Gjykatësi ka pyetur me radhë të akuzuarit – që më herët janë deklaruar të pafajshëm – të tregojnë nëse e kuptojnë aktakuzën dhe nëse janë fajtorë ose jo. Ata u deklaruan sërish të pafajshëm.
Nisë procesi gjyqësor në Hagë
Ka nisur me vonesë procesi gjyqësor ku do të trajtohen deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilaj, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për pengim të drejtësisë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se kanë vënë në dispozicion informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarë dhe kanë dhënë udhëzime për ndikim në dëshmitë e tyre, me qëllim të pengimit të rrjedhës normale të procesit gjyqësor.

