Thursday, June 18, 2026
HomepafilterFushë Kosova shpall gjendje emergjente për mbeturinat, priten masa urgjente

Fushë Kosova shpall gjendje emergjente për mbeturinat, priten masa urgjente

Komuna e Fushë Kosovës ka shpallur gjendjen emergjente për shkak të situatës me mbeturinat. Qytetarët po kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, ndërsa nga PDK-ja në Fushë Kosovë kërkojnë veprime konkrete. Nga Komuna thonë se pritet të angazhohen edhe kompani private për zgjidhjen e situatës. Ndërkaq, nga kompania “Pastrimi” thonë se nuk kanë pranuar asnjë vendim apo dokument zyrtar nga Komuna e Fushë Kosovës lidhur me shpalljen e gjendjes emergjente.

Ditë më parë, Komuna e Fushë Kosovës shpalli gjendjen emergjente për shkak të situatës me mbeturinat në këtë qytet. Qytetarët po kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

Nga PDK-ja në Fushë Kosovë kërkojnë veprime konkrete në mënyrë që kjo situatë të përmirësohet. Ata po ashtu kërkojnë që gjendja emergjente të shfrytëzohet për zgjidhjen  e situates.

“Nuk jemi këtu vetëm për të kritikuar, por edhe për të ofruar zgjidhje dhe për të dhënë propozime konkrete për zgjidhjen e këtij problemi, i cili po e ngulfat qytetin e Fushë Kosovës çdo ditë e më shumë. Duke pasur parasysh se qyteti i Fushë Kosovës, veçanërisht pjesa urbane, ka një numër të madh banorësh dhe po vazhdon të rritet çdo ditë, është e domosdoshme që të ndërmerren masa urgjente”, tha Valon Murseli, asamblist i PDK-së në Fushë Kosovë.

Nga Komuna e Fushë Kosovës situata me mbeturinat po konsiderohet e rënduar, andaj shpallja e gjendjes emergjente është vlerësuar si e nevojshme, bazuar në gjendjen aktuale në komunë.

“Ne kemi shpallur gjendjen emergjente dhe jemi në fazën kur shumë shpejt pritet të angazhojmë kompani private, në mënyrë që mbeturinat të largohen nga qyteti”, tha Izja Mjeku, drejtor i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë.

Nga kompania “Pastrimi” thonë se nuk kanë pranuar asnjë vendim apo dokument zyrtar nga Komuna e Fushë Kosovës lidhur me shpalljen e gjendjes emergjente. Sipas tyre, pas pranimit të dokumentacionit zyrtar nga institucionet përkatëse, do të veprojnë në përputhje me kompetencat dhe obligimet e tyre ligjore, duke informuar me kohë opinionin publik për çdo zhvillim relevant.

Në një përgjigje të mëhershme, nga kompania kanë deklaruar se situata e krijuar me vonesat në grumbullimin e mbeturinave lidhet kryesisht me vështirësitë operative dhe defektet teknike në një pjesë të flotës së automjeteve. Sipas tyre, këto probleme kanë ndikuar drejtpërdrejt në dinamikën e realizimit të shërbimeve në terren dhe se ekipet janë duke punuar pa ndërprerje në tri ndërrime për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe për të minimizuar vonesat sa më shumë që është e mundur. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram