Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se Kosova po përfaqësohet në edicionin e 16-të të Manifestës, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Evropë, e cila është hapur sot në rajonin Ruhr të Gjermanisë.
Sipas Bogujevcit, artistja kosovare Albe Hamiti është pjesë e kësaj platforme prestigjioze me video-instalacionin “De-Life”, një vepër e krijuar posaçërisht për këtë edicion dhe e ekspozuar në qytetin e Bochumit.
Ajo theksoi se vepra trajton tema që lidhen me ndjenjat njerëzore, izolimin dhe raportin e njeriut me mjedisin përreth, duke sjellë një reflektim të thellë artistik.
“Është kënaqësi e veçantë të shohësh artin tonë të jetë pjesë e një platforme kaq të madhe ndërkombëtare”, ka shkruar Bogujevci.
Manifesta 16 këtë vit zhvillohet në disa qytete të rajonit Ruhr, duke shndërruar hapësirat urbane dhe ish-objektet industriale në vende të reja të dialogut artistik.
Pjesëmarrja e artistes Albe Hamiti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, si pjesë e angazhimit për promovimin dhe ndërkombëtarizimin e artit bashkëkohor shqiptar.

