Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se është ende në pritje të përgjigjeve përfundimtare nga partitë politike lidhur me bashkëqeverisjen në kryeqytet, ndërsa ka paralajmëruar se kabineti i ri pritet të prezantohet brenda ditëve në vijim
Rama theksoi se qeverisja komunale po vazhdon në linjë me mandatin e kaluar, me disa ndryshime tashmë të publikuara, duke siguruar se të gjitha drejtoritë janë funksionale dhe puna po zhvillohet normalisht në të gjithë sektorët e Prishtina.
Ai bëri të ditur se ftesa për bashkëqeverisje u është dërguar të gjitha partive politike, por disa prej tyre, sipas tij, po presin zhvillimet në nivel qendror, përfshirë proceset zgjedhore dhe zgjedhjen e presidentit. Sipas Ramës, përbërja e plotë e kabinetit pritet të bëhet publike deri në fund të javës së ardhshme ose në fillim të javës pasuese.
“Mendoj deri në javën e ardhshme, në fund të javës së ardhshme apo në fillimin e javës tjetër do ta kemi ashtu pasqyrën e plotë. Për ata që janë të rinj, ata që do të qëndrojnë. Mirëpo çka du me cek është që të gjitha drejtoritë janë duke u marrë me punë në të gjitha pjesët e kryeqytetit, pra jemi duke vazhduar me proceset”, tha ai.
Kryetari i Prishtinës theksoi se synon krijimin e një koalicioni sa më të gjerë, për shkak të projekteve të mëdha që e presin kryeqytetin, përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, investimet në arsim, sport dhe transport urban.
Ai siguroi se vonesat në formalizimin e kabinetit nuk kanë ndikuar në funksionimin e komunës, duke shtuar se projektet kryesore po vazhdojnë me intensitet në të gjitha pjesët e qytetit.
“Qasja ime ka qenë edhe mbetet që duhet të jetë një koalicion i gjerë në nivelin e kryeqytetit sepse kemi punë të mëdha. I kemi lojërat mesdhetare të vitit 2030 për të cilat tashmë po them jemi duke i shtyrë përpara ashtu fuqishëm, po ashtu edhe projektet madhore të cilat po ashtu jemi duke i shtyrë para, nevojat e tjera të kryeqytetit që janë të shumta në nivele të arsimit, pra edhe me sistemet e mësimit tërëditor, të sportit po them në krijimin e infrastrukturës në pjesë të ndryshme, të transportit të ri urban që tashmë e kemi shtyrë përpara, pra kemi shumë punë që jemi duke i shtyrë përpara fuqishëm pa marrë parasysh a kemi bërë ndryshime në drejtori apo jo”, tha Rama.

