Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se do të presë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, përpara se të nisë komunikimet me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja.
“Porsa të certifikohen rezultatet, fillojmë komunikimet menjëherë”, u shpreh Kurti, në përgjigje të shkurt për media pasi mori pjesë në ngjarje kulturore në kryeqytet.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje ka bërë të ditur se do të presë përfundimin e procedurave ankimore para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Kosova ka mbajtur tri procese zgjedhore parlamentare brenda rreth një viti e gjysmë. Zgjedhjet e fundit u shpallën pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të vendit. Edhe legjislatura e re do të ballafaqohet me të njëjtën çështje, pasi sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, procesi për zgjedhjen e presidentit duhet të fillojë menjëherë pas konstituimit të Kuvendit.
Sipas Kushtetutës, seanca konstituive e legjislaturës së re të Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare nga KQZ.

