Wednesday, June 24, 2026
HomeKulturëShuteriqi përtej miteve, dokumente, dëshmi dhe fakte në librin e Dashnor Kaloçit

Shuteriqi përtej miteve, dokumente, dëshmi dhe fakte në librin e Dashnor Kaloçit

DR. ALEKSANDËR ÇIPA

A ka pasur gazetaria apo shkrimtaria jonë gjatë njëqind viteve të fundit më tepër individualitete erudite? Cila prej këtyre dy fushave ka evidentuar më shumë enciklopedistë dhe sfidantë përmes dijesh për dijeninë publike të shoqërisë shqiptare? Këtë pyetje retorike e kam mbartur në ndërgjegjen time gjatë tridhjetë viteve, nëpër të cilat kam udhëtuar me dashurinë për të dytën ( letërsinë) dhe po me dashuri, ambicie dhe sakrificë profesionale për të parën ( gazetarinë).

Gazetaria jonë, kryesisht ajo e periudhës së viteve ’ 30të të shekullit të kaluar, më ka krijuar bindjen se ka përfshirë dhe angazhuar më tepër eruditë. Mirëpo, rishtazi më është lëkundur kjo bindje, pasi në të gjithë rastet e verifikimeve të mia, për personalitetet më të spikatura të gazetarisë në njëqind vjetëshin e fundit, më rezulton njëherësh edhe kontributi dhe qenësia e tyre si shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit të fundit letrar. Kjo plejadë personalitetesh është e bollshme dhe tradita mbetet vijuese.

Emrat dominantë të jetës letrare dhe asaj publike, përgjatë kësaj periudhe, janë njëherësh faret kulturorë e letrarë që pati shoqëria dhe kultura kombëtare shqiptare, por edhe eruditët e institucionalizmit kulturor kombëtar. Duke lexuar në dorëshkrim librin monografik “Dhimitër S. Shuteriqi, rilindasi i fundit dhe regjimi komunist”, të studiuesit dhe gazetarit më të spikatur e më fakte- sjellës në publicistikën tonë memorialistike të dy- tri dekadave të fundit, të kolegut e mikut tim Dashnor Kaloçi, rishtazi më triumfoi bindja se gazetaria jonë është një dëshmi autentike e investimit intelektual e kulturor në jetën publike të një shekulli të plotë, të sho

“Dhimitër Shuteriqi ishte filologu ynë erudit, i cili mishëronte atë preferencë kulturologjike të eseistit- filozof Emil Cioran për Francën e shekullit në të cilin ishte bashkëkohës edhe vetë profesor Shuteriqi: “Ëndërroj një kulturë orakujsh të logjikshëm, të Pithes- it të kthjellët…, dhe të një njeriu që do të kontrollonte reflekset përmes një teprie jete dhe jo nga rreptësia!”.

qërisë dhe kombit në tërësi.

Ndër ta, për gazetarinë dhe letërsinë shqipe natyrshëm do të kryerenditet përherë edhe Dhimitër Shuteriqi. Por, me një diferencë dhe imponim prej produktit dhe kontributit të vet, i cili nuk mbeti si rast erudicioni veç në shkrime të publicistikës në dhjetëra e qindra periodikë e gazeta, por në miliona faqe të lidhura në periodikë e libra shumëgjuhësh.

Dhimitër Shuteriqi ishte filologu ynë erudit, i cili mishëronte atë preferencë kulturologjike të eseistit- filozof Emil Cioran për Francën e shekullit në të cilin ishte bashkëkohës edhe vetë profesor Shuteriqi: “Ëndërroj një kulturë orakujsh të logjikshëm, të Pithes- it të kthjellët…, dhe të një njeriu që do të kontrollonte reflekset përmes një teprie jete dhe jo nga rreptësia!”.

Jeta rinore e profesor Shuteriqit shkoi nëpër një epokë të ashpër, madje të rreptë, e të dominuar nga dy materie dhe dy ngjyra të ferrshme njerëzore: prej gjakimit dhe tym- e- flakës së Luftës së Dytë Botërore. Këtë kohë e jetoi dhe u angazhua në kontrast të plotë me imazhin vetjak të të riut të ardhur nga shkollimi në Francë dhe të studentit që la Europën dhe u bë partizan i viseve dhe vendit të ashpër.

Kjo kohë dhe ajo që pasoi, mjedisi dhe momentet e daljes nga lufta në një kohë rindërtimi nën regjim me shtypje dhe korniza, janë prova e madhe e izolimit dhe e fshehjes së erudicionit për krejt mendjerëndët e shoqërisë shqiptare, por më së shumti dhe, veçanërisht, për dy kategoritë që sjellin dhe shtojnë dijen e dijenitë në çdo shoqëri; për shkrimtarët dhe gazetarët.

Pavarësisht nga ky kufi i shpallur, i sofistikuar dhe i plotfuqishëm për t’u imponuar si regjim për mendjen dhe mendimin, Profesor Shuteriqi udhëtoi dhe shtoi triumfalisht disa rrugë të tjera për të thyer tabutë e erudicionit të pashpallur dhe të dijetarit që mund të ekzistojë veç duke u vetëburgosur në dijen, njohjen dhe historinë që e ka parë gjetkë si pakkush.

Libri i Dashnor Kaloçit “Dhimitër S. Shuteriqi, rilindasi i fundit dhe regjimi komunist”, ( parathënien e të cilit e ka bërë shkrimtari i njohur me famë botërore, Ismail Kadare), është një antologji monografike për një personalitet kulture, i cili e shkoi jetën nëpër luftëra dhe përplasje të dukshme e të padukshme duke mbajtur si thelb, të mbështjellë brenda imponimeve të kohërave të hirta e të zymta, aristokracinë e qytetit të origjinës Elbasanit dhe atë të shkollimit, Francës.

Për këtë arsye, profesor Shuteriqi kur i hapte problem publicistika, zgjidhte të shtonte dhe pasuronte letërsinë autoriale e pse jo edhe atë shqipe, të lënë në harresë thellësive të kohërave. Dhe kur shkaktonte problem letërsia e tij, ose jeta në Lidhjen e Shkrimtarëve, atëherë ai nisej në një udhëkërkim të ri në zanafillat dhe yjet e zanafillës së letërsisë shqipe.

Kur mbi tekstet e historisë së tij ngrinte hije dhe errësirë imponuese doktrina dhe ideologjia e regjimit, atëherë profesori udhëtonte nëpër albanologji duke zbuluar e sjellë gjetje prej studiuesi dhe akademiku. Kur rishfaqej sërish tehu i ndëshkimit ndaj shumëgjuhësisë dhe diturisë filologjike, atëherë Profesori??? hynte rishtas në një korsi tjetër dijeje dhe lëmie, ku kohë më parë kishte lënë punë të kryera e të ndërprera. ( si, për shembull, në folklorin dhe poezinë popullore shqiptare).

Në këtë mënyrë, shkrimtari dhe shkencëtari ynë i filologjisë udhëtoi nëpër katër epoka të ndryshme, në jetën e vetë të mbi tetë dekadave. Ai e epitafonte për së gjalli me një shprehje jetën e vet: “Gjithë jetën kam shkruar duke kërkuar diçka…! Kam jetuar gjithnjë me shqetësimin për të punuar…! Merrja frymë kur më mbyste shkenca”. ( Bisedë, shtator 1999).

Libri “Dhimitër S. Shuteriqi, rilindasi i fundit dhe regjimi komunist”, është një antologji e strukturuar mençurisht për një personalitet i cili e garantoi veprën e vet gjithë erudicion për një udhëtim në breza të ardhëm studiuesish dhe lexuesish. Në këtë monografi nuk flet kronisti i vonuar i tij, por është e plotë gjuha e fakteve, rrëfimeve dhe ndodhive, e miqve dhe kundërshtarëve e lëvduesve dhe qejfmbeturve, e të diturve të hidhëruar dhe e të famshmëve për letërsinë e triumfit si mendim dhe liri njerëzore, në shoqërinë e kohëve të zymta dhe kohëve të prishura.

Personazhi erudit i kësaj antologjie atipike është bashkëkohës në disa kohë i më të shquarve të kombit dhe popullit të tij. Për këtë arsye atij nuk mund të mos i vihet në dukje edhe një protagonizëm kontribuimi në ideimin dhe themelimin e shtypit kulturologjik në vitet ’ 30 e në vitet ’ 50. Janë dy kohë të ndryshme dhe diferencat janë edhe më të ndryshme. I njëjtë dhe i përveçëm mbeti gazetari dhe shkrimtari Profesor Shuteriqi.

Shumë gjera të tjera në jetën dhe bashkëkohësinë e tij janë pandashmërisht të lidhura dhe substancë e kohërave me privime dhe dhimbje, me lëvizje dhe ndrydhje, me ndriçim të kufizuar dhe errësim të padenoncueshëm. Libri i Kaloçit ka një pasuri dokumentesh e dëshmish, rrëfimesh dhe konsideratash, sikundër ka gjithë vlerën e një materieje fjalësh me peshë e çmim për eruditin dhe profesorin e gazetarisë dhe shkrimtarisë sonë, i cili vijon të rezervojë në kohë të ardhme dukjen dhe shenjën e një meritori.

Ky libër monografik na përmend ne si lexues, e veçanërisht brezin tim të publicistëve dhe gazetarëve të shekullit XXI, të mbartim konsideratën dhe kujtesën e vlefshme. Kujtesën për personalitetin e ardhur nga disa kohë dhe i cili, në mugëtirën e gjallimit fizik të tij, ishte për ne i moçmi me dije dhe vepër të lënë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram