Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, ka theksuar rëndësinë e avancimit të draft-Ligjit për RTK-në në kuadër të agjendës legjislative 2026–2028, gjatë një takimi me kryeministrin Albin Kurti.
Në njoftimin e OSBE-së thuhet se diskutimet ishin të orientuara drejt së ardhmes dhe pozitive, me fokus në rëndësinë e emërimeve të nivelit të lartë, përfshirë Drejtorin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve dhe Komisionerin për Gjuhët.
“Shefi i Misionit theksoi rëndësinë e avancimit të draft-Ligjit për RTK-në në kuadër të agjendës legjislative 2026–2028, funksionalizimin e Zyrës për Kontrollin dhe Harmonizimin e Gjuhëve, si dhe shqyrtimin e miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Lirinë Fetare”, potencohet në njoftim.
Misioni i OSBE-së rithekson se mbetet i përkushtuar për të punuar ngushtë me Qeverinë e re në avancimin e qeverisjes gjithëpërfshirëse, të drejtave të komuniteteve dhe të njeriut, si dhe sigurisë dhe rendit publik.

