Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se kjo parti ka nisur debatin e brendshëm paszgjedhor, ndërsa ka mohuar se ka pasur ndonjë ftesë apo takim me partitë e tjera politike për formimin e institucioneve.
“Ashtu siç paralajmërova, debati i brendshëm i LDK-së në situatën paszgjedhore ka filluar sot. Diskutuam çështjet, analizuam numrat dhe vlerësimet e para që dalin nga rezultatet zgjedhore. Numrat janë ata që LDK-së i kanë dhënë këtë peshë politike. Ne jemi me një grup parlamentar prej 18 deputetësh. Ne besojmë që do të arrijmë ta përmbyllim këtë proces pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Do të vazhdojmë me punu, me ndërtu unitet në dallimet tona nëse ka nevojë. Angazhimet tona politike kanë interes dhe agjendë Republikën e Kosovës. Organet e LDK-së e ruajnë parimin e ndarjes së drejtë sipas vullnetit qytetar, që proceset politike të shkojnë drejt një stabiliteti dhe normaliteti politik”, tha Haziri.
Ai ritheksoi se LDK-ja nuk ka zhvilluar bisedime me asnjë subjekt politik, duke theksuar se nuk ka marrë asnjë ftesë për takim.
“Më lejoni ta konfirmoj edhe një herë. As nuk kemi pasur ftesë, as nuk i kemi ofruar askujt. Takime nuk ka pasur deri tani që po flasim, sepse nuk ka pasur asnjë ftesë. Edhe ne kemi dalë me parim politik. Kemi thënë që procesi politik kërkon që Kosova me vendos normalitet dhe stabilitet institucional. Pjesë të tjera janë spekulative, janë konspiracion i Prishtinës. LDK-ja është imune ndaj kësaj, është imune ndaj çdo oferte politike. Ne i përmbahemi parimit të ndarjes së drejtë, me qenë gjithëpërfshirës. Projektet strategjike dhe proceset e mëdha të Republikës duhet të jenë baza e bashkëpunimit, ndërsa ndarja e përgjegjësive është çështja më pak e rëndësishme”, deklaroi ai.
Ai paralajmëroi se ditët në vijim do të qartësohet nëse do të ketë bashkëpunim politik për krijimin e institucioneve, duke shtuar se alternativa tjetër do të ishte thellimi i krizës politike.
“Jemi në kuadër të parimeve politike dhe këto ditë do të zbardhet nëse janë apo nuk janë pjesë e bashkëpunimit, sepse zgjedhja është shumë e qartë: ose e çojmë vendin drejt stabilitetit institucional përmes bashkëpunimit, ose riciklohet kriza. Riciklimi i krizës nënkupton zgjedhje të tjera, për të cilat ne po punojmë t’i parandalojmë. Qytetarët nuk e duan këtë. Ata kanë kërkuar që askush të mos sillet me arrogancë nëse ka marrë më shumë besim, por as të mos bëhet bllokues nëse ka marrë më pak besim”, tha Haziri.

