Kuvendi i Kosovës po mbanë seancë të jashtëzakonshme plenare, ku në fokus të diskutimeve është Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026.
Shefja e grupit parlamentar e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu, tha se raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën është pa progres.
Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur për të diskutuar raportin e sivjetmë, Lushaku-Sadriu tha se gjetjet e raportit kërkojnë përgjigje publike dhe përgjegjësi politike e institucionale.
Ajo tha se integrimi evropian ka pushuar së qeni prioritet i Qeverisë dhe se ka mbetur kryesisht në nivel deklaratash.
“Prej vitesh, integrimi evropian ka pushuar së qeni prioritet i kësaj qeverisjeje. Ka mbetur në deklarata, ndërsa është zbehur në vendimmarrje, në bashkëpunim institucional dhe në zbatimin e reformave”, u shpreh Lushaku-Sadriu.
Ajo theksoi se, sipas vlerësimit të raportit, në dhjetë fusha nuk është shënuar progres, duke përmendur funksionimin e institucioneve demokratike, kontrollin financiar, konkurrencën, lëvizjen e lirë të mallrave dhe punëtorëve, transformimin digjital dhe medial, bujqësinë, sigurinë, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e shkencës.
Lushaku-Sadriu veçoi edhe mungesën e progresit në drejtësi dhe luftimin e korrupsionit. Sipas saj, Qeveria nuk ka hartuar Strategjinë Kombëtare kundër Korrupsionit, e cila, siç tha ajo, do të duhej të ishte pjesë e planifikimit strategjik për luftimin e këtij fenomeni.
Ajo ngriti shqetësime edhe për pavarësinë e institucioneve, duke përmendur emërimet e vonuara, procedurat jotransparente dhe financimin e paqëndrueshëm.
Në fjalën e saj, Lushaku-Sadriu foli edhe për rritjen e dhunës në familje, mungesën e mbrojtjes së fëmijëve dhe grave, problemet në administratën publike dhe prokurimin publik.
Ajo përmendi gjithashtu inflacionin prej 7.3 për qind në gusht të këtij viti dhe mangësitë në sistemin arsimor, duke thënë se këto probleme ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, Lushaku-Sadriu kërkoi që Qeveria të raportojë në Kuvend çdo tre muaj për zbatimin e rekomandimeve të raportit të progresit.
Po ashtu, ajo kërkoi që brenda 30 ditësh Qeveria të paraqesë një plan veprimi me hapa konkretë, institucione përgjegjëse dhe afate kohore për përmbushjen e kritereve evropiane.

