Pranë hotelit në qendër të Damaskut, ku presidenti francez Emmanuel Macron kaloi natën, sot ndodhën dy shpërthime të fuqishme. Macron dhe presidenti sirian Ahmad al-Sharaa janë të sigurt dhe takimi i tyre në Pallatin Presidencial po vazhdon sipas planit.
Sipas raportimeve nga AFP dhe Al Jazeera, shpërthimet ndodhën pranë hotelit Four Seasons dhe Ministrisë Siriane të Turizmit. Pamjet televizive treguan re të dendura tymi që ngriheshin mbi kryeqytetin sirian.
Një zyrtar i sigurisë konfirmoi për Al Jazeera se shpërthimet ndodhën në një zonë të populluar me një numër të madh civilësh, duke e quajtur incidentin një “akt kriminal”. Autoritetet reaguan menjëherë dhe bllokuan të gjitha rrugët hyrëse, dhe shkaku i shpërthimeve, si dhe informacioni mbi viktimat e mundshme, janë ende të panjohura.
Pavarësisht incidentit, presidenti francez është i sigurt dhe aktualisht po viziton Pallatin Presidencial (Popullor), ku u prit nga presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sharaa. Pallati Elize (Élysée) tha se Macron as nuk i dëgjoi shpërthimet ndërsa po udhëtonte drejt pallatit dhe se aktualisht janë në një mjedis “mjaft të qetë”.
Gazetarja e Al Jazeera-s, Obaida Hitto, duke raportuar nga Damasku, theksoi se shpërthimet i habitën të gjithë të pranishmit.
“Kjo situatë është një vazhdim i asaj që ndodhi vetëm pak ditë para mbërritjes së presidentit, kur ndodhi një shpërthim pranë gjykatës qendrore, i cili kishte krijuar tashmë tensione në qytet”, shpjegoi Hitto.
Kjo është vizita e parë e një udhëheqësi të madh evropian në Damask pas rënies së regjimit të Asadit. Shpërthimet e sotme, megjithëse të papritura, janë një kujtesë e qartë se sa e ndjeshme dhe e brishtë mbetet situata e sigurisë në Siri në këtë periudhë tranzicioni.

