Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj interpretimit të një kënge nacionaliste serbe gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e ka cilësuar këtë veprim si shqetësues, duke theksuar se kënga përmban pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.
Ajo ka vënë në pikëpyetje përzgjedhjen e muzikës në një aktivitet që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian, duke theksuar se mesazhe të tilla nuk përputhen me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit shtetëror.
Haxhiu i ka kërkuar Komisionit Evropian të japë sqarime lidhur me përzgjedhjen e kësaj kënge, ndërsa ka bërë thirrje që institucionet evropiane të tregojnë më shumë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit.
Ajo ka theksuar rëndësinë që aktivitetet evropiane të përcjellin mesazhe në përputhje me vlerat dhe parimet mbi të cilat synon të ndërtohet Bashkimi Evropian.

