Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për inicimin e hetimeve në Policinë e Kosovës, pas pranimit të raportit lidhur me dëmtimet në Kompleksin Memorial “Kulla e Zahir Pajazitit” në Orllan.
“Kjo kërkesë është bazuar në dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 354, i cili parasheh se dëmtimi, shkatërrimi ose cenimi i monumenteve dhe objekteve të mbrojtura kulturore, historike dhe fetare përbën vepër penale dhe ndiqet e dënohet sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
AMMKM më tej potencon se ka nën menaxhim Kompleksin Memorial “Kulla e Zahir Pajazitit” në Orllan, në bazë të kontratës publike kornizë me nr. 207-AMMKM-25-6581-2-1-1/C86 – Mirëmbajtja e Kompleksit Memorial “Kulla e Zahir Pajazitit” në Orllan, Komuna e Podujevës, e cila ka hyrë në fuqi më 28.08.2025 dhe përfundon me datën 28.08.2028.
“Njëkohësisht, Agjencia është duke realizuar edhe projektin “Intervenime Emergjente në Komplekse dhe Memoriale, Varreza të Dëshmorëve dhe Martirëve – Kosovë – Intervenime Emergjente në KM ‘Kulla e Zahir Pajazitit’, Orllan – Podujevë”, sipas kontratës nr. 207/27900-25-9937-5-2-1/C97, me qëllim të ruajtjes dhe përmirësimit të gjendjes së këtij Kompleksi Memorial. Në kuadër të projektit që është duke u realizuar dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente, Agjencia do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për sanimin e dëmtimeve, në përputhje me procedurat ligjore dhe administrative në fuqi”, vazhdon njoftimi.

