Klubi i Notit Step ka qenë më i suksesshmi në këtë edicion, duke u shpallur kampion i Kosovës për vitin 2026.
Federata e Notit e Kosovës ka njoftuar se ka përmbyllur me sukses Kampionatin e Kosovës në Not 2026, i cili është zhvilluar në Step Arena me pjesëmarrjen e njëzet e katër klubeve të notit nga e gjithë Kosova.
Në konkurrencën individuale, titullin e kampionit absolut te meshkujt e ka fituar Arion Budima nga KN Step, ndërsa te femrat kampione absolute është shpallur Hana Beiqi nga KSU Otrila.
“Ky ishte një kampionat i suksesshëm, ku sportistët treguan nivel të lartë dhe përkushtim të madh. Jemi të kënaqur me rezultatet e arritura dhe me zhvillimin e garave”, ka njoftuar Federata e Notit e Kosovës.
Arion Budima dhe Rida Haxhani nga KN Step ishin ndër notarët më të dalluar të kampionatit, duke fituar disa medalje gjatë garave.
Në këtë edicion u regjistruan edhe rekorde të reja të Kosovës. Arion Budima ka vendosur rekord të ri senior në disiplinën 200 metra shpinë me kohën 2:13.81. Rekord të ri kombëtar ka vendosur edhe Bledion Meha nga KN Dielli në pesëdhjetë metra delfin me kohën 26.44.
Bora Ademi nga KN Step ka regjistruar rekord të ri të grupmoshave në disiplinën 200 metra krol me kohën 2:26.08, ndërsa Arif Makolli nga KN Dielli ka vendosur rekord të ri në pesëdhjetë metra delfin me kohën 27.30.
Rekorde të reja të grupmoshave janë shënuar edhe nga Eros Bakiu i KN Step në 800 metra krol me kohën 10:18.32, si dhe nga stafeta 4×100 metra miks e femrave të KN Step, ku kanë garuar Riga Kastrati, Nita Zhushi, Jana Nuza dhe Artesa Azemi.
Gjithashtu notari i ri i KN Step, Jon Buzuku, ka lënë gjurmë në këtë kampionat, duke vendosur rekorde të reja të grupmoshave në pesëdhjetë metra krol me kohën 34.57 dhe në 100 metra krol me kohën 1:18.73.
Në konkurrencën e femrave, notaret më të mira sipas kategorive kanë qenë Stina Qerimi e KN Step në kategorinë nëntë-vjeçare, Bora Ademi e KN Step në kategorinë njëmbëdhjetë–dymbëdhjetë vjeç, Parga Abazi e KN Step në kategorinë dymbëdhjetë–trembëdhjetë vjeç, Riga Kastrati e KN Step në kategorinë katërmbëdhjetë–pesvmbëdhjetë vjeç dhe Luesa Berila e KN Step në kategorinë gjashtëmbëdhjetë–shtatëmbëdhjetë vjeç. Kampione absolute është shpallur Hana Beiqi nga KSU Otrila.
Te meshkujt, në kategoritë përkatëse fitues dolën Jon Buzuku nga KN Step në grupmoshën dhjetë-vjeçare, Anis Krasniqi nga KN Niko në kategorinë njëmbëdhjetë–dymbëdhjetv vjeç, Eros Bakiu nga KN Step në kategorinë trembëdhjetë–katërmbëdhjetv vjeç, Arif Makolli nga KN Dielli në kategorinë pesëmbëdhjetë–gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe Arion Budima nga KN Step në kategorinë shtatëmbëdhjetë–tetëmbëdhjetë vjeç. Budima ka fituar edhe titullin e kampionit absolut.
Federata e Notit e Kosovës ka shprehur mirënjohje për të gjitha klubet pjesëmarrëse, sportistët, trajnerët, gjyqtarët, vullnetarët dhe stafin organizativ për kontributin në organizimin e këtij kampionati.

